Pas disa sezoneve të suksesshme në ekranin e Tv Klan, “Zonë e lirë” mund të nisë transmetimin në një ekran tjetër në sezonin e ri. Ky është lajmi që ka qarkulluar sot në disa portale, edhe pse nga vetë autori dhe drejtuesi Arian Çani nuk ka ndonjë konfirmim.
Me ndryshimet e reja në sezonin e ri televiziv, duket se do të përfshihet edhe “Zonë e lirë” – një format disavjeçar dhe i suksesshëm që mban firmën e Çanit.
Besohet se në sezonin që pritet të nisë së shpejti, “Zonë e lirë” do të transmetohet në ABC News.
Ende nuk dihet nëse formati i programit do të jetë i njëjtë apo do të ndryshojë, por gjithçka mbetet të zbulohet me çeljen e sezonit të ri televiziv.
“Zonë e Lirë” nisi si fillim në ekranin e Telenorbës, në vitin 2003, dhe pas disa kohësh, edhe në ekranin e Vizion Plus. Në Tv Klan, "Zonë e lirë" transmetohet që prej vitit 2011.