Bella Hadid foli për sëmundjen nga e cila vuan dhe përmendi listën e gjatë të simptomave që ajo përjeton çdo ditë. Modelja ka sëmundjen e quajtur Lyme dhe ka treguar më shumë rreth vuajtjes së saj të përditshme nëpërmjet disa postimeve në Instastory.

Ajo rrëfeu se vuan nga simptoma të tilla si vështirësi në frymëmarrje, dhimbje koke, ndryshime në temperaturën e trupit, të përziera, çrregullime në të ngrënë, pagjumësi, dhimbje kyçesh, mjegullim të trurit, shtim ose humbje në peshë, ndjeshmëri ndaj dritës dhe tingujve dhe shumë të tjera.

“Çdo ditë ndjej të paktën 10 nga këto simptoma, ndoshta që prej moshës 14-vjeçare, por m’u shfaq në mënyrë agresive kur isha 18 vjeç. Vuaj çdo ditë nga kjo gjë. Dhe s’ka kurë!" -rrëfeu Hadid.

Modelja iu referua sëmundjes Lyme si "sëmundja e padukshme", kjo pasi nuk është vizualisht e dukshme kur dikush i përjeton simptomat e saj.

Vëllai i vogël i Bella-s, Anwar dhe nëna e saj, Yolanda vuajnë gjithashtu nga kjo sëmundje. Ndërsa motra e saj, Gigi, nuk e ka sëmundjen Lyme.