Kazinotë në Shqipëri u mbyllën me vendimin e qeverisë më 31 dhjetor të vitit 2018. Pothuajse dy vite pas mbylljes, është marrë vendimi për rikthimin e tyre. Mirëpo, ka disa kushte që duhet të plotësojnë kazinotë që do të rihapen.

Sipas vendimit të marrë së fundmi, në zonat e lejuara në Tiranë do të lejohet vetëm një kazino.

Por për të fituar licencën që duhet për hapjen e kazinosë çdo person juridik apo bashkim personash juridikë duhet të plotësojnë një sërë kushtesh dhe kriteresh.

Disa nga kushtet janë:

- të jetë shoqëri në republikën e Shqipërisë

- duhet të ketë kapital jo më pak se 1.2 miliardë lekë

- të deklarojë burimin e kapitalit që do të investojë në kazino

- të ketë përvojë në këtë fushë

Veç plotësimit të kritereve, personat e interesuar për hapjen e aktivitetit duhet të dorëzojnë pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit edhe deklaratën që provon se ata së bashku me aksionarët nuk janë në procese gjyqësore, nuk janë dënuar më parë në fushën e krimit ekonomik, evazionit fiskal apo doganor dhe një sërë veprash të tjera.

Ata nuk duhet të kenë detyrime tatimore të papaguara, apo të jenë debitorë ndaj institucioneve shtetërore.

Aplikuesi duhet të paraqesë një kopje të noterizuar të certifikatës së regjistrimit me numrin unik të identifikimit të aplikuesit dhe statutin e shoqërisë si dhe vërtetim nga QKB që vërtetohet se shoqëria është në status aktiv.