Blogerja e famshme Chiara Ferragni është nderuar në Venecia me një çmim shumë të rëndësishëm. Ajo mori nga kryetari i bashkisë Luigi Brugnaro, Luanin e Artë – një çmim special që do t’i dorëzohej Ferragni-t më 25 prill për festën e San Marco-s, por festa u anulua për shkak të pandemisë së Covid-19.
Më në fund, Chiara e ka marrë çmimin e saj dje, duke u nderuar për “angazhimin qytetar të demonstruar për Italinë në këtë periudhë të jashtëzakonshme, duke u kujtuar të gjithëve bukuritë me të cilat arti, kultura dhe tradita italiane janë të pasura dhe për zgjedhjen e qytetit të Venecias si një thesar për ta bërë të njohur për publikun e saj ndërkombëtar".
Ndërsa Ferragni tha se ajo ishte e nderuar që ishte në Venecia, në një nga qytetet më të bukura në botë për ta prezantuar për publikun e saj.
“Siç e dinë shumë prej jush, unë jam një mbështetëse e madhe e Italisë dhe thesareve të saj të fshehura, veçanërisht në këtë kohë të vështirë për turizmin. Këto ditë unë jam në Venecia për t'ju treguar disa vende që janë ende pak të eksploruara. Për zgjedhjen e qytetit të Venecias si një thesar për ta bërë të njohur për publikun tim ndërkombëtar në këto tre ditë në lagunë dhe për angazhimin qytetar të treguar për Italinë në këtë periudhë emergjente, duke u kujtuar të gjithëve bukuritë që pasurojnë artin, kulturën dhe traditën italiane, unë u vlerësova me Luanin e Artë nga qyteti,” –ka shkruar Chiara në Instagram, duke shtuar se ky është vetëm fillimi.
Mirëpo, reagimet në rrjet janë të përziera. Të shumtë janë ata që e vlerësojnë kontributin e Chiara-s për promovimin e Italisë, por s’janë të paktë as ata që shprehen se një çmim i tillë s’ka lidhje me figurën e blogeres.