Një ngjarje e rëndë është regjistruar në kryeqytet, në kryqëzimin i Selitës, vend i quajtur ura e Nesherakut. Në mes të rrugës, një makinë ka shpërthyer si pasojë e vendosjes së një sasie tritoli.

I plagosuri nga atentati është Preng Gjini, vëllai i Armando Gjinit, i ekzekutuar kohë më parë.

Dyshohet se ai ka qenë në drejtimin e mjetit gjatë shpërthimit. Armando Gjini u ekzekutua para syve të dy fëmijëve të tij në Rrëshen në gusht të vitit të shkuar.

Familja Gjini është e njohur për përfshirjen në trafikun e drogës dhe viktima konsiderohej si “ushtari” i Met Kananit, gjithashtu i përfshirë në këtë trafik.

Ndërkohë, Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebai Jaupaj, ka dhënë detaje në lidhje me ngjarjen e rëndë që ka tronditur kryeqytetin pasditen e sotme.

Në orën 19:00 sapo mjeti është futur në urë me drejtues Preng Gjini ka ndodhur një shpërthim që dyshohet me lëndë plasëse. Është ngritur grupi hetimor me specialistë të krimeve të rënda”,- tha Jaupaj.

I pyetur për pistat e hetimit, ai u shpreh: “Nuk dua të  bëj me dije në këto momente, sepse ne organizohemi për kontrolle në vijimësi, por ka pista për një hakmarrje midis personit që është dëmtuar dhe disa qytetarëve të tjerë jashtë Tiranës”.

Gjendja e të plagosurit

Nga ky shpërthim i dëmtuari është futur në sallën e operimit dhe kemi shpresa për rikuperim.  Kemi dhe një kalimtar të dëmtuar lehtë”,- u shpreh Jaupaj.