Reperja Cardi B ka bërë një kërkesë për divorc nga burri i saj Offset, me të cilin u martua në një ceremoni sekrete në shtator të 2017-ës. Ata u bënë prindër të një vajze të quajtur Kulture në vitin 2018.

Cardi B po kërkon kujdestarinë primare të vajzës së tyre, ndërsa kërkon që Offset të kontribuojë në "mbështetjen dhe mirëmbajtjen" e saj. Mësohet se divorci po kontestohet nga reperi 28-vjeçar, Offset.

Sipas disa burimeve, martesa e çiftit është "prishur në mënyrë të pakthyeshme" dhe “nuk ka asnjë perspektivë për pajtim".

Seanca e parë e divorcit është caktuar më 4 nëntor në orën 10:00.

Kjo nuk është hera e parë që dyshja ndahet. Në vitin 2018, Cardi B njoftoi përmes Instagramit se ajo dhe reperi nuk ishin më bashkë. Më vonë u mor vesh që ai e kishte tradhtuar dhe kjo ishte arsyeja pse Cardi i kishte dhënë fund. Offset nga ana tjetër nuk e pranonte ndarjen dhe postonte vazhdimisht në rrjetet sociale se i mungonte partnerja dhe se dëshironte shumë që ajo ta falte. Madje, ai u ngjit në skenë kur ajo ishte duke performuar në një koncert dhe i kërkoi falje para mijëra vetave.

Sidoqoftë, ata më vonë u ribashkuan dhe nuk arritën deri në divorc.

Prej atëherë, Cardi B dhe Offset kanë qenë gjithmonë të pandarë, duke e shoqëruar njëri-tjetrin në spektakle çmimesh dhe dalje të tjera publike. Mirëpo, duket se tani lidhjes i ka ardhur vërtet fundi dhe s’ka më kthim pas.