Një tërmet me magnitudë 4.5 i shkallës Rihter ka lëkundur vendin tonë rreth orës 01:25 pas mesnate. Epiqendra e tërmetit ka qenë në veriperëndim të qytetit të Cërrikut, me thellësi 20 km. Vetëm 3 minuta para tij, në orën 01:22 pati lëkundje sizmike me magnitudë 3.1 të shkallës Rihter.
Lëkundja e dytë, që ka edhe magnitudë më të madhe, është ndjerë në Elbasan, Lushnje, Tiranë dhe Fier.
Sipas Top Channel, qytetarët e Elbasanit kanë dalë në rrugë të panikosur, pavarësisht reshjeve të shiut. Ndërsa gjatë gjithë natës në vendin tonë janë regjistruar 7 lëkundje tërmeti me magnituda më të lehta; 3.0; 2.9; 3.1; 2.6 dhe 3.5, i cili ishte dhe i fundit i regjistruar rreth orës 9:00 të mëngjesit në qarkun e Elbasanit.
Ministria e Mbrojtjes, nga komunikimet paraprake me Policinë e Shtetit dhe me Mbrojtjen Civile në Prefekturën Elbasan raportoi se nuk ka dëmë materiale dhe as të lënduar.
Burimi: Top Channel, Abc News, Balkanweb