Ditë më parë, aktorja e “Portokallisë”, Egla Ceno bëri me dije se nuk do të jetë më pjesë e trupës së spektaklit të humorit për shkak të mospërputhjes artistike me regjisorin.

“Nuk do jem më në ‘Portokalli’ për arsye krejt profesionale: Mospërputhje artistike me regjisorin. [...] Ndoshta Portokallisë i rikthehem në të ardhmen”, -është shprehur Ceno për Iconstyle.

Pas këtij prononcimi, Newsbomb ka publikuar disa mesazhe të shkëmbyera mes aktores dhe regjisorit, ku ky i fundit shpreh hapur pakënaqësinë e tij duke i thënë se nuk ishte ne nivelin e duhur për “Portokallinë” dhe nëse nuk përmirësohej do t’u duhej të ndërprisnin marrëdhënien.

Pas kësaj ka ardhur një tjetër reagim nga ana e Eglës, e cila tha se publikimi i mesazheve i kishte cënuar privatësinë, etikën dhe integritetin profesional.

Reagimi i plotë i Egla Cenos:

"Një përgjigje për Altin Bashën! Para disa ditësh, një portal kishte publikuar disa mesazhe private që kisha shkëmbyer me regjisorin e Portokallisë, Altin Bashën. Për një epror kjo nuk është normale që të nxjerrë mesazhet private, të shkëputura nga konteksti, duke cënuar privatësinë, etikën dhe integritetin profesional.

Në fakt, kjo erdhi si një reagim i Bashës për një intervistë timen, ku argumentova largimin tim nga Portokallia me shkakun e “mospërputhjes artistike me regjisorin”. Ishte vetëm ky togfjalësh, i shprehur aq shkurt, për të respektuar regjisorin në fjalë dhe spektaklin, sepse nuk doja të flisja as për debatin jo profesional që patëm në ditën e dytë të punës për sezonin e ri, as për presionin e shëmtuar që më ka bërë gjatë sezonit të kaluar duke m’u drejtuar: “ti del në ekran sepse kështu vendos unë” ose “ty të kam bërë unë” dhe as për amatorizmin me të cilin trajtohen aktoret femra. Etika profesionale mund të tingëllojë si shfaqje e huaj për disa punonjës të sektorit të Artit Skenik, ndryshe nuk mund ta shpjegoj reagimin e regjisorit të Portokallisë, pas reagimit tim. Reagim që më ka dhunuar privatësinë dhe më ka shkaktuar dëm moral dhe profesional duke bërë publike disa mesazhe private, konfidenciale dhe të shkëputura nga konteksti (mesazhe që për më tepër dëshmojnë përpjekjen për një lloj komunikimi nga ana ime, që të kuptonte “sikletin” profesional që po më shkaktonte nga pengimi i vazhdueshëm që më bënte për t’u rritur artistikisht).

Jam krenare për edukatën dhe respektin me të cilin i jam drejtuar. Nuk e kam fshehur ndonjëherë respektin profesional ndaj tij sepse nuk e dija që të respektoje Bashën ishte një gjë e turpshme. Tani, e mësova. Largimi im nga Portokallia nuk ka të bëjë fare me cilësinë e performancës siç ka qejf të shprehet ai, për këtë mjafton të shohësh feedback-un e publikut, ka të bëjë me një lloj “fresku” që unë refuzoj ta mësoj për të hipur në skenë. Flas për të njëjtin regjisor që e ka vlerësuar talentin tim duke më patur si aktore nëpër shfaqjet e tij private në Teatër. Për të njëjtin regjisor me të cilin kemi ndërtuar kompaninë e parë private Teatrore në Tiranë dhe për të njëjtin regjisor që më ka mësuar bazat e aktrimit, si profesori im në Akademinë e Arteve.

Do kishte qënë e mençur nga ana ime ta kisha qepur gojën sepse ky regjisor nesër, me shumë gjasa, mund të jetë drejtori i Teatrit të ri Kombëtar, për të cilin ka harxhuar aq shumë energji duke shpjeguar pse nuk duhet shembur dhe pastaj pse duhet shembur teatri, por gjykoj që dinjiteti im është më i shenjtë se skena që mund të më hiqet nesër, sepse një artist pa dinjitet ta shpif, në skenë e jashtë saj. Reagimi i Bashës nuk më bën as ngrohtë dhe as ftohtë sepse nuk u bëra dje aktore, por më ka dhunuar privatësinë dhe më ka dëmtuar moralisht dhe profesionalisht. Çështje që sqarohen në vendin e duhur.”

Nuk ka vonuar një replikë nga Altin Basha, i cili në një intervistë për Report Tv ditën e sotme, është shprehur se Ceno po i shërben fushatës së "baltosjes" së emrit të tij dhe e ka quajtur rolin e Zimbiles si një nga rolet më të dobët që kanë dalë ndonjëherë në skenën e “Portokallisë”.

Replika e Altin Bashës:

"Ajo ka gënjyer për shkaqet e largimit. Ka thënë që kemi "mospërputhje artistike". Publiku e pa të vërtetuar të zezë mbi të bardhë nga sms-të se aktorja ka qenë e vetëdijshme për performancën e dobët dhe e njoftuar që do largohej nga Portokalli. Sms-të janë komunikime pune dhe jo private. Nëse gënjen pa pikë turpi publikisht dhe nga sms-të del një mashtruese ordinere pa pikë etike, si mund të më kërkohet llogari mua pse i publikova? Sepse është mashtruese, ja pse. Gënjen kur thotë se sms-të e publikuara janë të shkëputura nga konteksti. Ka shumë sms të tjera që do ta turpëronin në sytë e opinionit, të cilat do t'i publikoj të gjitha nëse vazhdon të mashtrojë paturpësisht. Do të këshilloja t’i ribotosh sms-të tashmë të publikuara që të jetë e qartë gjuha që përdor ajo dhe gjuha që përdor unë. Aty kuptohet qartë cili është profesionisti.

Gënjen përsëri kur thotë se do bëhem Drejtor i Teatrit Kombëtar. Nuk e ndaloj dot të publikojë thashethemet e kafeve rreth teatrit, por për çdo gënjeshter do marrë përgjigje. Me sa duket i është bërë ves. Komentet janë çështje karakteri dhe edukate. Unë e kam pasur studente. E kam mësuar si të rrijë në skenë dhe për më tepër e kam promovuar gjithmonë në shfaqjet që kam drejtuar. Investim i gabuar. Mund të edukoj profesionistë, por nuk edukoj njerëz. E kuptoj se po punon me zell për t’i shërbyer fushatës së baltës të cilën e promovon injoranca, qentë endacake që lehin në portale dhe llumi mediatik për shkak të marrëdhënieve të acaruara mes meje dhe Ben Blushit.

Pastaj ajo herë thotë më ke promovuar dhe herë thotë më ke penguar. Kjo është qesharake. Për çështjen e promovimit është tashmë fakt shumë i njohur se unë jam regjisori që më shumë se cilido në Shqipëri ka promovuar të rinj në teatër dhe TV. Ekziston një kategori aktorësh për të cilët je një regjisor ose pedagogu më i mirë në botë kur i lavdëron, por kur i kritikon je njeri i keq. Kush është marrë me regji & pedagogji më kupton shumë mirë. Bëhet fjalë për rolin e Zimbiles që është një nga personazhet më të dobët që kanë dalë ndonjëherë në skenën e Portokallisë."

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Egla Ceno (@egla_ceno) on

Report TV bëri me dije se ka kontakuar edhe aktoren Egla Ceno, në lidhje me deklaratat e bëra pas shkëputjes nga "Portokalli". Por aktorja u përgjigj se "nuk ka asgjë tjetër për të shtuar".

Burimi: Shqiptarja.com, Newsbomb.al