Pemë të rrëzuara, shumë zona pa sinjal elektrik, por edhe përmbytje. Kjo është panorama e parë në disa qytete të vendit, pas natës së mbrëmshme dhe gjatë orëve të para të kësaj të shtune.
Era e fortë gjatë mbrëmjes ka rrëzuar dhjetëra pemë në Tiranë, në Shkodër, Bulqizë, Lezhë, por ka bërë dëme edhe në qytete të tjera të vendit.
Tirana është përfshirë gjatë orëve të natës nga reshje të dendura shiu dhe stuhi të forta ere, të cilat kanë shkaktuar dëme, duke rrëzuar disa pemë në rrugët dhe sheshet kryesore të kryeqytetit. Punonjësit e bashkisë vazhdojnë punën në terren për të rikuperuar dëmet e shakaktuara nga era dhe për të eliminuar rrezikun për qytetarët në disa rrugë të kryeqytetit.
Në Shkodër, dëmi më i madh është shkaktuar në unazën perëndimore të qytetit, ku pemët e rrëzuara kanë dëmtuar disa makina.
Reshjet e shiut, ndonëse të dendura, nuk kanë shkaktuar probleme në të gjithë qarkun. Niveli i ujit në hidrocentralet mbi lumin Drin, është i ulët, kështu që mundësitë për përmbytje në zonat e NënShkodrës janë të pakta.
Edhe në rrethin e Bulqizës, era e fortë dhe rrebeshet e shiut kanë shkaktuar dëme. Për pasojë, gjatë natës ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike. Pemët në rrugën Qytet i Vjetër - Qytet i Ri janë thyer duke rrezikuar edhe jetën e qytetarëve.
Sipas parashikimit të meteorologëve, moti i keq do të vijojë gjatë gjithë fundjavës. Vendi do të mbizotërohet nga alternime kthjellimesh dhe vranësirash duke sjellë reshje shiu që herë pas here do të jenë në formën e rrebesheve. Nga reshjet rrezikojnë përmbytje lokale disa qytete si, Shkodër, Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër.
Sipas Meteoalb, temperaturat do të pësojnë një rënie të lehtë, ku do të variojnë: në zonat malore, nga 07°C në 16°C, në zonat e ulëta nga 16ºC në 24°C dhe në zonat bregdetare nga 15°C në 23°C.
Era do të fryejë në drejtim jugperëndimor, ndërsa forca e valëzimit në det do të jetë 5-6 ballë.