UN Women dhe Suedia synojnë reformimin e politikave dhe veprimeve të financimit në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë[1] dhe Serbi për të përshpejtuar zbatimin e angazhimeve kombëtare dhe ndërkombëtare për barazinë gjinore.

(29 shtator) – UN Women dhe Sida (Agjencia Suedeze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim) prezantuan sot një nismë rajonale katërvjeçare në mbështetje të qeverive të Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës dhe Serbisë, për të çuar përpara integrimin e barazisë gjinore në të gjitha fazat e politikëbërjes dhe buxhetimit në nivel kombëtar dhe vendor. Prezantimi virtual përfshiu angazhime të rëndësishme nga përfaqësues të lartë të qeverisë për drejtimin e përpjekjeve transformuese në financa dhe buxhetim, dhe për përshpejtimin e ecurisë drejt barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave.

Me Programin “Financat Transformuese për Barazi Gjinore në Ballkanin Perëndimor”, UN Women do të vijojë të drejtojë përpjekjet e financimit lidhur me barazinë gjinore në rajonin e Ballkanit Perëndimor përmes partneriteteve strategjike, duke siguruar asistencë teknike të personalizuar dhe udhëzues për institucionet qeveritare, dhe duke përmirësuar kapacitetet dhe njohuritë e tyre institucionale.

Anila Denaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë, tha: "Ne synojmë financa publike që ofrojnë shërbime të përmirësuara publike, duke u mundësuar grave dhe burrave të përfitojnë në mënyrë të barabartë, çka do të ndalë kështu pabarazitë dhe do t’i riadresojë ato."

Buxhetimi i përgjigjshëm gjinor në Shqipëri është i detyrueshëm me ligj për financat e qeverisë qendrore dhe vendore. Si rezultat, buxhetet që kanë lente gjinore sot përbëjnë 7.2 për qind të buxhetit vjetor, krahasuar me 1 për qind që ishte pesë vjet më parë kur UN Women nisi të mbështesë këtë nismë në Shqipëri. Çështje të barazisë gjinore në shëndetësi, mbrojtje sociale, arsim dhe bujqësi adresohen përmes 38 programeve buxhetore (që përbëjnë gjysmën e programeve buxhetore sot për sot në Shqipëri).

Programi do të synojë përforcimin e veprimeve dhe politikave e financave nga ana e qeverisë për të çuar përpara zbatimin e angazhimeve kombëtare dhe ndërkombëtare të Deklaratës së Pekinit dhe Platformës për Veprim, që është agjenda më vizionare për të drejtat e vajzave dhe grave, dhe të agjendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm.

"Vendosja e barazisë gjinore dhe zërave të grave në qendër të planeve dhe buxheteve mund të nxitë ekonomitë dhe të sjellë ndryshime transformuese në jetën e komuniteteve – çka është më e rëndësishme se kurrë tani në funksion të krizës së COVID-19”, - tha Carolina Wennerholm, Shefe për Ballkanin Perëndimor, Turqinë dhe Amerikën e Jugut në Sida.

Ky program zbatohet në momentin e duhur, ndërkohë që ne vlerësojmë dhe shohim deri ku kemi arritur dhe sa rrugë kemi ende para nesh për të arritur barazinë gjinore. Qeveritë në këtë program janë tashmë advokuese të fuqishme dhe partnerë të përkushtuar në këtë rrugëtim”,- u shpreh Alia El-Yassir, Drejtoresha Rajonale e UN Women për Europën dhe Azinë Qendrore. Ajo shtoi se “do të vijojmë të punojmë ngushtë me ta dhe do të mbështesim përpjekjet e tyre për tejkalimin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, me qëllim që të sigurohemi se ribalancimi i buxhetit të përdoret si mundësi për të rindërtuar më mirë sa i përket barazisë gjinore.

Prezantimi virtual i programit bëri bashkë përfaqësues të Sida-s dhe UN Women, pjesëmarrës të nivelit të lartë nga qeveritë kombëtare dhe vendore dhe shoqërinë civile nga vendet e Ballkanit Perëndimor, për të diskutuar mënyrën për të ecur përpara, me qëllim sigurimin e financimit dhe buxhetimit transformues për barazinë gjinore në rajon.

Buxhetimi i Përgjithshëm Gjinor (BPGJ) është një strategji e mirënjohur për të çuar përpara barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave. Strategjia u mundëson qeverive të zvogëlojnë në mënyrë efikase pabarazitë gjinore nëpërmjet politikave, planeve dhe buxheteve që i adresojnë nevojat e grave dhe burrave në mënyrë të barabartë. Ajo forcon llogaridhënien duke nxitur hartimin e buxheteve transparente.

Rëndësia e BPGj-së doli më shumë në pah gjatë pandemisë së COVID-19, pasi vendimet për politikat dhe buxhetet duhet të merren më shpejt dhe të jenë fleksibël përballë ndryshimit të vrullshëm, dhe t’u përgjigjen nevojave të gjithsecilit në mënyrë të barabartë.