Liqeni i Pogradecit ka marrë një pamje krejt tjetër, edhe më piktoreske se zakonisht, këto ditë. Si rrallëherë, në liqen janë shfaqur disa flamingo. Rreth 16 flamingo janë ndalur në vijën bregliqenore, sapo hyn në fshatin turistik të Tushemishtit. Prania e këtyre shpendëve në liqenin e Pogradecit konsiderohet si dukuri e pazakontë.
Gani Bego, specialist i Zonave të Mbrojtura, u shpreh për Report Tv se flamingot mendohet se kanë ardhur nga Turqia dhe pas ndalesës në Pogradec mund të fluturojnë drejt lagunave të Nartës dhe Karavastasë.
"Flamingoja nuk është shpend i liqenit të Ohrit. Mendohet se vijnë nga Turqia, kanë bërë një ndalesë të shkurtër dhe mendohet se do të zhvendosen drejt lagunave", -tha Bego.
Habitati i flamingove është në Nartë dhe Karavasta, prandaj shfaqja e tyre në liqenin e Pogradecit është diçka e rrallë.