Pandemia e tanishme na bën të mendojmë më pak për udhëtime, pasi të gjithë mbajmë parasysh rreziqet e hipjes në aeroplan apo lëvizjes në vende me shumë njerëz. Për t'ju dhënë pak frymëzim, ju prezantojmë me Lexie Alford, e cila në moshën 21-vjeçare ka udhëtuar në 196 vende të botës. Ajo ka vendosur një rekord të ri botëror në librin "Guinness" si personi më i ri në moshë që ka udhëtuar në çdo vend.

"Stili im i udhëtimit përfshin largimin sa më shumë nga kryeqytetet për t'u lidhur më tepër me mjedisin natyror dhe kulturën, në mënyrën më të mirëfilltë të mundshme. Këto vende do të jenë perfekte për ruajtjen e distancës shoqërore dhe është një mënyrë e shkëlqyeshme për të mbështetur ekonominë e zonave të vogla lokale" - është shprehur Lexie për revistën ELLE. Më poshtë do të gjeni disa rekomandime nga Alford për adhuruesit e udhëtimeve.

Indonezia

"Kur njerëzit mendojnë për Indonezinë, mendja e tyre zakonisht shkon në ishullin më të dëgjuar që është, Bali. Por ajo që unë zbolova në Indonezi, është se ka për të parë shumë tepër se sa ky destinacion tipik. Nga Java tek New Guinea, është e pamundur t'i mbaroni gjithë vendet e reja dhe ka mjaft hapësirë për t'u larguar nga turmat e njerëzve."

Ekuadori

"Si një adhuruese e zjarrtë e kafshëve të egra, nuk mund të largohesha nga Ekuadori pa një udhëtim në ishujt Galápagos. Ju mund të shihni specie të rralla dhe të shijoni ujin si kristal. Rregullat aty janë të rrepta dhe mirëqënia e jetës së egër vjen në radhë të parë."

Laos

"I vendosur në mes të disa prej vendeve më të vizituara të Azisë, Tajlandës dhe Vietnamit, qëndron një vend që shpeshherë neglizhohet nga vizitorët. Eksplorimi i kryeqytetit kulturor Luang Prabang, ishte një moment kryesor i udhëtimit tim. Është një vend i përsosur për kayaking dhe për eksplorim ujvarash. Nëse zgjoheni herët, mund të shikoni murgj të veshur me portokalli, të cilët ecin në heshtje dhe marrin lëmoshë nga adhuruesit e tyre."

Samoa

"Vizita në këtë ishull në jug të Oqeanit Paqësor, do të jetë një nga kujtimet e mia të preferuara. Zgjohesha herët për të vizituar ujëvarat mahnitëse ne xhunglën e dendur, para se të shkonte ndonjë turist tjetër. Nëse doni paqe dhe izolim të mirëfilltë, ky është vendi ideal."

Islanda

"Në peizazhin e këtij vendi ju do të gjeni gjithçka, duke filluar nga vullkanet dhe burimet e nxehta e deri tek lagunat e ftohta akullnajore. I njohur si "vendi i zjarrit dhe akullit", Islanda ka një terren tepër të larmishëm. Ndihesha sikur isha në një tjetër planet."

Pakistan

"Në fillim ndihesha e frikësuar për vizitën time në Pakistan. Meqënëse vendi është në zhvillim e sipër të turizmit, vendasit nuk janë mësuar shumë me të huajt që kanë një kamera në dorë. Gjatë udhëtimit e gjeta veten duke eksploruar një rajon në veri të Pakistanit të quajtur Baltistan. Mund të merrje një makine Jeep 4x4 dhe të kaloje përmes rrugës më të rrezikshme në botë. Ishte një nxitje e pastër për adrenalinë."

Egjipti

"Nuk ka asnjë vend tjetër në botë me një histori të ruajtur kaq mirë si Egjipti. Unë e kam vizituar shumë herë dhe sa herë që shkoj mësoj diçka të re. Historia e Egjiptit të lashtë më ka magjepsur që kur isha fëmijë."