Një mësuesi i është prerë koka në një lagje në veriperëndim të Parisit pasditen e së premtes, afër një shkolle, dhe sipas raportimeve të fundit të mediave vendëse, deri tani janë më dhjetëra të arrestuar për të zbardhur shkaqet e ngjarjes së rëndë.

Sipas raportimeve të mediave, viktima ka qenë mësues në rajonin Conflans-Sainte-Honorine, dhe thuhet se ka shfaqur karikatura të Profetit Muhamed para studentëve të tij.

Ministri i Edukimit, Jean-Michel Blanquer, ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Tëitter se vrasja e mësuesit ka qenë sulm ndaj Republikës franceze. Ai ka thënë se të qenit bashkë është përgjigjja e vetme ndaj “terrorizmit islamik”.

Agjencia e lajmeve, AFP, ka cituar policinë dhe prokurorët të kenë thënë se viktima ka qenë me kokë të prerë.

Raportimi i mediave në Francë

Një burrë me një thikë të madhe thuhet të ketë sulmuar mësuesin në rrugë, duke i prerë kokën. Sulmuesi më pas ka ikur, por policia lokale, e alarmuar nga publiku, ka arritur shpejt në skenën e sulmit dhe ka shtënë me armë zjarri që ai të dorëzohet. Por sulmuesi i ka kërcënuar. Ata më pas e kanë qëlluar me armë zjarri duke e lënë të vdekur.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e ka quajtur “sulm terrorist islamik” vrasjen e mësuesit në periferi të Parisit. Ai tha se mësuesi, ende i paidentifikuar, është vrarë sepse ka mësuar “lirinë e shprehjes”. “Ata nuk do të fitojnë... Ne do të veprojmë”,- tha Macron pasi vizitoi vendin ku ndodhi vrasja.

Sipas prestigjiozes franceze “Le Monde”, viktima ishte mësues i historisë dhe gjeografisë. Ai kishte shfaqur karikatura të Profetit Muhamed para nxënësve, si pjesë e lirisë së shprehjes. Gazeta raporton se mësuesi u ka kërkuar nxënësve myslimanë të largohen nga klasa, nëse ata ndihen të fyer me shfaqjen e pamjeve të Profetit.

Sulmuesi me thikë është qëlluar për vdekje nga policët, të cilët po tentonin që ta arrestonin. Policia franceze ende nuk ka publikuar të dhëna të reja për sulmuesin, ndonëse mediat kanë raportuar se bëhet fjalë për një 18-vjeçar me origjinë çeçene, që kishte lindur në Moskë, raporton BBC.

Burimet nga policia thanë se dëshmitarët e kanë dëgjuar sulmuesin të thotë “Allahu Akbar”.

Deri më tani nëntë persona janë arrestuar, përfshirë dhe një të mitur. Mediat franceze, duke u thirrur në burime brenda sistemit gjyqësor, thanë se në mesin e të arrestuarve janë edhe familjarë të sulmuesit dhe prindërit e një fëmije, ku jepte mësim mësuesi i vrarë.