Zona e ish-Bllokut, Astiri dhe Kombinati konsiderohen si zonat më të nxehta të infektimit të koronavirusit në kryeqytet. Rreziku i infeksionit është më i lartë pikërisht në këto zona të kryeqytetit dhe ky fakt u pohua edhe gjatë takimit me ministren Manastirliu nga epidemiologu Rexhep Muja.

Në fokusin tonë kryesor kemi kryesisht shkollat dhe për t’u lidhur dhe me vatrat e nxehta që kemi në kryeqytet, kryesisht Astirin, ish-Bllokun, Kombinatin etj”,- u shpreh epidemiologu Rexhep Muja.

Po pse këto zona në Tiranë janë më të nxehta se të tjerat?

Së pari, bëhet fjalë për zona me popullim të lartë dhe, si pasojë, infeksioni gjen terren lehtësisht. Po kështu, Astiri, Ish-Blloku dhe Kombinati frekuentohen nga shumë të rinj, të cilët neglizhojnë të mbajnë maskë. Ndonëse maska është bërë e detyrueshme në rrugë, sërish ka qytetarë që nuk e zbatojnë këtë ligj. Por ka edhe të tjerë që e mbajnë maskën poshtë mjekrës.

Prej fillimit të pandemisë, kryeqyteti ka qenë në krye të listës si një ndër qytetet më të goditura. Aktualisht, sipas të dhënave të ministrisë, janë 3001 të infektuar aktivë ose gjysma e rasteve aktive të regjistruara në të gjithë vendin. Ditët e fundit është vënë re një shpërndarje e rasteve edhe në rrethe, kryesisht qarqet e veriut, siç vuri në dukje edhe Manastirliu dje, janë ato të cilat kanë një numër më të rritur të infektimeve.

Edhe e shtuna, ndonëse me një numër relativisht më të ulët se dita e premte, sërish mbetet në shifra të larta infektimi. Ministria e Shëndetëisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit numri i rasteve të reja me COVID-19 është ulur në krahasim me një ditë më parë. Kështu janë testuar pozitivë 273 raste të reja dhe 5 humbje jete, ndërsa ditën e djeshme u testuan pozitivë 289 persona.

Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki: 192 raste në Tiranë, 17 raste në Korçë, 12 raste në Lezhë, 10 raste në Gjirokastër, 8 raste në Shkodër, 7 raste në Sarandë, 5 raste në Kavajë, 4 raste në Durrës, 3 raste në Fier, 2 raste në Kurbin, Kamëz, Tepelenë, Gramsh, 1 rast në Lushnjë, Mirditë, Mallakastër, Mat, Divjakë, Malësi e Madhe, Patos.

Numri i përgjithshëm i rasteve të infeksionit që nga fillimi i pandemisë llogaritet 16,774, ndërsa ai i viktimave 448.  Fatmirësisht, e kanë fituar betejën me virusin në 24 orë, 44 persona, duke e çuar kështu në total numrin e të shëruarëve në 10.001.

Aktualisht, në Spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 259 pacientë, 20 në terapi intensive, nga të cilët 3 pacientë janë të intubuar.