Duke nisur nga dita e hënë, rrethrrotullimi ‘Shqiponja’ do të jetë i bllokuar për shkak të punimeve dhe kjo kohë do të vijojë për disa muaj. Për rrjedhojë, nga e hëna qarkullimi i automjeteve në sheshin ‘Shqiponja’ do të devijohet në rrugë të tjera.

Kreu i ARRSH-së, Ergys Verdho, sqaroi publikisht se makinat nuk do të kalojnë më në rrethrrotullimin ‘Shqiponja’, për shkak të punimeve që po kryhen në Lotin 3.

Verdho tha se mjetet që vijnë nga jugu duhet të përdorin rrugën Elbasan-Tiranë, ndërsa ato që vijnë nga Kavaja, duhet të përdorin rrugën e Ndroqit. Por për ambulancat do të krijohet një rrugë aksesi më vete.

Do të krijojmë një rrugë aksesi vetëm për to, në bashkëpunim me policinë. Drejtuesit që vijnë nga jugu të zgjedhin aksin Elbasan-Tiranë, kurse ata që vijnë nga Kavaja të zgjedhin Ndroqin. Sepse koha e pritjes te dogana do jetë më e lartë se gjithë rruga e tyre”,- tha kreu i ARRSH-së.

Lidhur me kohën që do të zgjasin punimet, Verdho tha se do të marrin 3 deri në 4 muaj. Në një konferencë për mediat, ai u shpreh se punimet po kryhen me tre turne.