Nominated for the Man Booker International Award, 2016.

Number 1, in Time magazine, in the list of "10 Best Literary Books of 2015".

One of the "Top 10 Literary Books of 2015" in The New York Times Book Review.

One of the "10 Best Literary Books of 2015" in People Magazine.

Mentioned in the list of "15 books to read this fall" in the Wall Street Journal.

 
... These are just some of the evaluations of the author Elena Ferrante, who, in a few days, comes up with a new book, made possible by "Pegi" publications.

Although this year, the Book Fair will be organized online, the titles will not be missing. Ferrante comes with a new title, "The false life of adults".

Shortly before the book is published, a part of the event is offered to you in this excerpt, which will excite you to read another success story by Ferrante.  

                                                                 ***

Dy vjet para se të largohej nga shtëpia, im atë i tha sime ëme se isha shumë e shëmtuar. Ajo fjali u pëshpërit mbyturazi në apartamentin që prindërit e mi, me t’u martuar, e kishin blerë në zonën Rione Alto, në krye të rrugës San Giacomo dei Capri. Gjithçka – hapësirat e Napolit, drita blu e një shkurti të acartë, ato fjalë – ka mbetur e ngrirë. Kurse unë kam rrëshqitur dhe vazhdoj të rrëshqas edhe tani, brenda këtyre rreshtave që mëtojnë të më japin një histori, kur në fakt nuk janë asgjë, asgjë imja, asgjë që të ketë filluar vërtet apo që të jetë përmbushur përnjëmend: thjesht një lëmsh i ngatërruar që kurrkush, as kush po shkruan në këtë çast, s’e di në përmban fillin e duhur të një rrëfimi apo është veçse një dhembje e gafrruar, pa shpëtim.

2. E kam dashur shumë tim atë, ishte përherë gojëmbël dhe me takt. Kishte sjellje të përkora që i shkonin fort për shtat trupit aq imcak, sa teshat i dukeshin një masë më e madhe, gjë që në sytë e mi i jepte një pamje elegance të pashoqe. Tiparet e fytyrës i kishte të brishta dhe asgjë – sytë e thellë qerpikëgjatë, hunda si e skalitur nga dora e një mjeshtri, buzët e plota – s’ua prishte harmoninë. Më fliste gjithnjë tërë gazmend, pavarësisht humorit të tij apo timit, dhe nuk mbyllej në studio – studionte shumë – pa më rrëmbyer me hir a me pahir të paktën një buzëqeshje. E ngazëllenin sidomos flokët e mi, por zor ta them, tani, se kur nisi të m’i lëvdonte, ndoshta qysh kur isha dy a tre vjeçe. Pa dyshim, gjatë fëmijërisë sime, bënim biseda të këtij lloji:

–    Ç’flokë të bukur që më ke, kaq të shndritshëm e të kadifenjtë, do të m’i falësh mua?

–  Jo, janë të mitë.

–  Hë dhe ti, mos u bëj kaq cingune.

–  Po deshe, t’i jap hua.

–  Uh, sa mirë, shiko po s’i mbajta për vete.

–  Po ti ke të tutë.

–  Ata që kam, t’i kam marrë ty.

–  S’është e vërtetë, ti më gënjen.

–  Preki me dorë, po deshe: ishin aq të bukur, sa t’i vodha. Unë i prekja me dorë për t’i kontrolluar, por me gjasme, e dija që s’do të m’i vidhte kurrë. Dhe qeshja, oh sa qeshja, kënaqesha më shumë me të sesa me time ëmë. Donte gjithnjë diçka timen, një vesh, hundën, mjekrën, thoshte se ishin kaq të përkryera, sa s’mund të bënte dot pa to. Më mbushte shpirtin ai zë i tiji, dëshmonte sa të domosdoshme më kishte.

Natyrisht, im atë nuk sillej kështu me të gjithë. Ndonjëherë, kur rrëmbehej së tepërmi pas diçkaje, kuturiste në një përrua të trazuar ligjërimesh sqimatare dhe emocionesh të pafre. Kurse herë të tjera i binte shkurt, me fjali të prera, kaq të sakta e me peshë, sa askush s’i kthente më fjalë. Ishin dy etër mjaft ndryshe nga ai që doja unë; ekzistencën e tyre pata nisur ta zbuloja kur isha shtatë a tetë vjeçe, kur e dëgjoja të diskutonte me miqtë dhe të njohurit që vinin ndonjëherë në shtëpinë tonë për mbledhje fort të zjarrta, të përqendruara në disa çështje të cilave s’ua kisha fare haberin. Zakonisht, rrija me nënën në kuzhinë dhe s’para ua vija veshin se si grindeshin pak metra më tutje. Por herë e tek, kur nëna ishte e zënë me punë dhe mbyllej në dhomën e saj, rrija vetëm në korridor duke luajtur ose duke lexuar, sidomos duke lexuar, sepse im atë lexonte shumë, nëna gjithashtu, dhe unë doja të isha si ata. S’ua vija veshin debateve, lojën apo leximin e ndërpritja vetëm kur befas binte heshtja dhe nxirrnin krye ata zëra të çuditshëm të tim ati. Prej atij çasti e tutje, ishte ai që diktonte ligjin dhe unë prisja përfundimin e mbledhjes për të kuptuar nëse do të kthehej sërish ai i zakonshmi, me ato tone të sjellshme e të përzemërta. Mbrëmjen kur e tha atë fjali, sapo kishte marrë vesh që nuk shkoja mirë me mësime. S’qe parë e dëgjuar kurrë më parë. Kisha qenë zhivë qysh në të parën fillore dhe vetëm dy muajt e fundit sikur po çaloja. Por prindërit e kishin me merak të madh mbarëvajtjen në shkollë dhe sidomos ime ëmë bënte njërën, qoftë edhe për një notë të keqe.

–  Ç’po ndodh kështu?

–  Nuk e di.

–  Duhet të mësosh më shumë.

–  Po mësoj.

–  E po, ç’ke, atëherë?

–  Disa gjëra i mbaj mend, disa të tjera jo.

–  Mëso derisa t’i mbash mend të gjitha.

Studioja deri në sfilitje, por rezultatet vazhdonin të ishin zhgënjyese. Atë pasdite, ime ëmë kishte shkuar të fliste me mësuesit dhe ishte kthyer pikë e vrer. Nuk më qortoi, prindërit nuk më qortonin kurrë. Vetëm ma priti:

–   Më e pakënaqura është mësuesja e matematikës, por tha që, po të duash, mund t’ia dalësh në krye.

Pastaj shkoi në kuzhinë të përgatiste darkën dhe ndërkaq babai u kthye në shtëpi. Nga dhoma dëgjova vetëm që po i rrëfente përmbledhtas ankesat e mësuesve,  e  kuptova  se për të më dalë në mbrojtje, ajo nxori si shkak ndryshimet e adoleshencës së hershme. Por ai e ndërpreu dhe, me një nga ato tonet që s’i përdorte kurrë – madje e shprehu në dialekt, gjë rreptësisht e ndaluar në shtëpinë tonë – i shpëtoi nga goja ajo frazë, që pa dyshim s’do të donte kurrë ta nxirrte:

–   S’ka punë adoleshence në këtë mes: ajo po merr krejt tiparet e Viktorias.

Po ta dinte që mund ta dëgjoja, jam e sigurt që kurrë s’do të fliste në atë mënyrë, që ndryshonte si nata me ditën nga ato fjalosjet tona të hareshme. Të dy pandehnin se dera e dhomës sime ishte e mbyllur, e mbyllja gjithnjë, dhe nuk e vunë re që njëri syresh e kishte lënë hapur. Dhe kështu, në moshën dymbëdhjetë vjeçe mësova nga zëri i tim ati, që vinte ashtu i mbytur teksa rrekej ta mbante sa më të ulët, se po bëhesha si e motra që, siç kisha dëgjuar jetë e mot prej gojës së tij, ishte shëmtia dhe ligësia vetë.

Ndoshta këtu mund të ma tërhiqni pak veshin: Mos po e tepron pak, yt atë nuk tha fj për fj “Xhovana është shëmtirë”. Ashtu vërtet, nuk ishte në natyrën e tij të këpuste të tilla kopaçe. Por isha fort e cingërisur në atë periudhë. Menstruacionet më kishin ardhur prej një viti, gjinjtë më kishin kërcyer dukshëm dhe më vinte turp, druhesha mos qelbesha erë, lahesha kohë e pa kohë, bija të fl si pa qejf dhe ngrihesha po pa qejf. E vetmja gjë që më ngushëllonte, në atë periudhë, e vetmja siguri që kisha, ishte adhurimi i tim ati për gjithçka timen. Ndaj, kur më barabiti me hallë Viktorian, ishte më zi se të më kish thënë: “Xhovana dikur ishte e bukur, tani është shëmtuar”. Emri i Viktorias kumbonte në shtëpinë time si ai i një qenieje të përbindshme, që ndotte dhe molepste këdo që cikte. Pak dija për të, për të mos thënë aspak, shumë rrallë e kisha takuar, por – dhe kjo është çështja – veç neveri dhe frikë kujtoja nga ato takime. Jo neveri dhe frikë që mund të më ngjallte ajo vetë, si qenie prej mishi dhe gjaku, jo, s’mbaj mend të kem ndier diçka të tillë. Më trembte neveria dhe frika që kishin prindërit prej saj. Im atë, gjithnjë, flet zymtë për të motrën, a thua se ajo ushtronte rite lapërdhi që e përlyenin dhe njëherësh përlyenin këdo që kishte të bënte me të. Kurse ime ëmë nuk e zinte kurrë në gojë, madje, kur ndërhynte në shfrimet e të shoqit, e cyste gjithnjë ta qepte si të druhej se mos ajo, kudo që të ndodhej, do të arrinte t’i dëgjonte ato fjalë dhe do të turrej vrap përpjetë rrugës San Giacomo dei Capri, me hapa të mëdhenj, ndonëse ishte tërë ajo rrugë e gjatë e malore, duke tërhequr enkas me vete tërë sëmundjet e spitaleve rreth e qark, pastaj do të shkonte shigjetë drejt e në shtëpinë tonë në kat të gjashtë, do të bënte shkrumb mobilien me shkreptimat e zeza të dalldisura që i dilnin nga sytë dhe do t’ia hiqte një turinjve po të guxonte të bënte gëk.

Sigurisht, e nuhatja që pas atij tensioni duhet të fshihej një histori mërish e qejfprishjesh të ndërsjella, por asokohe s’ua dija anën çështjeve familjare dhe mbi të gjitha, atë hallë kuçedër nuk e shikoja si njeri të shtëpisë. Ajo ishte një gogol fëmijërie, një siluetë thatanike dhe e ligë, një figurë e kreshpëruar, e strukur në pusi qosheve të shtëpive, kur bie terri. Si ia nxinte goja të tilla fjalë: të zbuloja kështu, krejt papritur e papandehur, se fytyra po më merrte trajtat e asaj të Viktorias? Mua? Mua që deri atë çast e kisha pandehur veten të bukur, dhe falë tim ati, isha me mendjen top se e tillë do të mbetesha përgjithnjë? Mua, që siç ma kishte mbushur mendjen ai vetë, më dukej se kisha flokë të shkëlqyer, mua që gjakoja të më donin aq shumë siç më donte ai, siç më kishte mësuar ta pandehja veten, mua që vuaja, sepse befas zbulova pakënaqësinë e prindërve ndaj meje dhe ajo pakënaqësi më trazonte duke më errësuar gjithçka?

Prita fjalët e sime ëme, por reagimi i saj nuk ma ngrohu zemrën. Edhe pse s’i shihte dot me sy të afërmit e të shoqit dhe kunatën e kishte zët, siç ke zët një hardhucë që të rend nëpër këmbën e zhveshur, nuk iu kthye t’i hakërrehej: “Mos ke luajtur gjë nga mendtë e kresë, ime bijë s’i ngjan kurrkund sat motre”. U mjaftua thjesht me një “ç’thua dhe ti, jo” të mekur e fare të shkurtër. Dhe unë, atje në dhomën time, nxitova të mbyll derën për të mos dëgjuar më shumë. Pastaj qava në heshtje dhe reshta vetëm kur im atë erdhi të më thoshte – këtë herë me zë dashamirës – se darka ishte gati.

Iu bashkova në kuzhinë lotterur, dhe ashtu me sytë përmbysur në pjatë, m’u desh të duroja një varg këshillash të dobishme për të përmirësuar rendimentin shkollor. Më vonë bëra sikur po studioja, ndërsa ata u rehatuan para televizorit. Ndieja një dhembje që s’donte të pushonte për kiamet, madje as të zbutej ndopak. Përse t’i kishte thënë im atë ato fjalë, përse ime ëmë nuk i ishte hedhur në grykë? Ta kishin ngjallur, vallë, notat e këqija atë pakënaqësi, apo ishte një alarm që s’kishte të bënte me shkollën dhe kushedi prej sa zgjaste? Po ai, sidomos ai, t’i kishte thënë ato fjalë plumb thjesht nga pezmi i çastit, apo mos vallë me atë vështrimin e mprehtë, të dikujt që s’i shpëton asgjë, prej kohësh i kishte pikasur fillesat e ceneve të së ardhmes, të një të keqeje që po përparonte dhe që e sikletoste, ndaj së cilës s’dinte si të sillej? Hëngra veten me dhëmbë, e dëshpëruar, tërë natën. Në mëngjes i mbusha mendjen vetes se e vetmja rrugë shpëtimi ishte të shkoja e të shihja me sytë e mi fytyrën e hallë Viktorias.