Pak pas mesditës së sotme, qyteti turk i Izmirit u trondit nga një tërmet me magnitutë 7 ballë të shkallës rihter. Nga të dhënat e deritanishme janë raportuar 12 të vdekur, por autoritetet raportojnë edhe për shumë qytetarë të tjerë nën rrënoja.
Për të sqaruar lëkundjet e fundit në Turqi, por edhe për të treguar nëse vendi ynë është i rrezikuar të goditet nga një tërmet në orët në vijim, në “Top Talk”, ishte i ftuar pasditen e sotme sizmologu Edmond Dushi.
Sipas tij, tërmeti që përfshiu Turqinë e Greqinë ishte më i fuqishëm sesa ai që preku Shqipërinë më 26 nëntor 2019, pra bëhet fjalë për dy lëkundje të ndryshme në magnitutë. Ai tha se situata sizmike në Shqipëri paraqitet disi më e qëndrueshme. Dushi theksoi se Shqipëria, ashtu sikurse edhe vendet e tjera të rajonit, është zonë aktive tërmetesh dhe lëkundje sizmike sipas tij do të ketë herë pas here.
“Klasifikimi përsa i përket natyrës është tektonik i pastër, por për energjinë sizmike është tepër i fuqishëm. Nuk është i ngjashëm me tërmetin e 26 nëntorit, ky ka një magnitutë 7, ndërsa ai i 26 e ka pasur 6.4, të momentit, ka diferencë. Aktualisht që flasim përballemi me një situatë më të qetë sizmike. Kjo është normale, sepse energjia e çliruar nga tërmeti i vitit të kaluar ishte e madhe, korja e tokës në Shqipëri dhe më gjerë është ende aktive. Është ende shpejt të themi që kemi një cikël normal, sepse ne këtë e presim në 30 e më shumë vjet. Kjo nuk do të thotë që gjatë gjithë kohës presim tërmete. Shqipëria është një zonë aktive tërmete, do të ketë tërmete herë pas here”.
E ftuar në një lidhje direkte me “Rudina” në Tv Klan ishte sot edhe profesoresha e Inxhinierisë së Ndërtimit, Luljeta Bozo. Edhe ajo tha se Shqipëria nuk rrezikohet nga një tërmet tjetër i fortë si ai i nëntorit të vitit të kaluar. Sipas Bozos, nuk ka vend për panik, pasi tërmetet me magnitudë të vogël që vijojnë ende të regjistrohen në vendin tonë janë paslëkundje të tërmetit të vitit të kaluar, kështu që kjo vatër vijon të çlirojë energji dhe për një kohë të gjatë nuk rrezikohemi nga lëkundje të tjera të fuqishme.