Një vajzë 3-vjeçare është nxjerrë e gjallë nga rrënojat e një ndërtese të shembur në Izmir të Turqisë, pas tërmetit të fortë që lëkundi vendin të premten, në orën 13:36.

Fëmija, i identifikuar nga autoritetet si Elif Perincek, u shpëtua sot në mëngjes, pasi kishin kaluar më shumë se 65 orë që ajo ndodhej nën rrënoja. Ministri turk i shëndetësisë Fahrettin Koca tha se nëna e Perincek dhe dy të tjerë u shpëtuan më herët, por fatkeqësisht një nga vëllezërit e motrat e saj nuk kishte mundur të mbijetonte.

Videoja e momentit të shpëtimit të 3-vjeçares u postua në Twitter nga ministri Koca.

Lajmi për shpëtimin erdhi vetëm disa orë pasi një fëmijë tjetër u gjet i gjallë nën rrënoja dhe u nxor shëndoshë e mirë nga ekipet e shpëtimit. Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD) tha se 14-vjeçarja Idil Sirin u shpëtua pasi kishte kaluar më shumë se 58 orë e bllokuar nën një ndërtesë të shembur.

Në videon telefonike që tregon momentin dramatik të shpëtimit të Sirinit, dhjetëra shikues dëgjohen duke brohoritur të emocionuar ndërsa ajo nxirret nga rrënojat. Asaj iu dha ndihma e parë në vendngjarje përpara se të transportohej në një spital lokal, sipas Anadolu.

Dhjetëra njerëz vdiqën dhe qindra të tjerë u plagosën pas tërmetit me epiqendër në detin Egje të premten, duke tronditur pjesë të Greqisë dhe Turqisë.

Një total prej 20 ndërtesash u dëmtuan seriozisht në Izmir nga lëkundja, sipas Kryetarit të Bashkisë së Izmirit Tunc Soyer, shumica e tyre në rrethin e klasës së mesme, Bayrakli.

Më shumë se 900 tronditje të pasme janë regjistruar që nga tërmeti fillestar, 42 prej tyre me një madhësi mbi 4.0, tha agjencia turke e katastrofave. Tërmeti shkaktoi gjithashtu atë që autoritetet e quajtën "mini tsunami", duke bërë që rrugët të përmbyten të premten në Izmir, si dhe në Samos.

Burimi: CNN

Lexoni edhe:

Tërmeti i fuqishëm në Egje godet Turqinë dhe Greqinë, njerëzit kërkojnë nën rrënoja