Në garën për një vaksinë të koronavirusit, ka arritur zbulimi më i ri nga firma amerikane e bioteknologjisë Moderna. Kompania është bërë e fundit që ka treguar rezultatet mbresëlënëse nga provat e fazës së fundit të vaksinës së saj.

Në një analizë të lëshuar sot dhe bazuar në 95 pacientë me infeksione të konfirmuara nga Covid, është bërë e ditur se vaksina kandidate e Moderna, ka një efikasitet prej 94.5 për qind.

Kompania ka thënë se po planifikon të aplikojë për autorizimin e përdorimit emergjent në javët e ardhshme.

Rezultatet e kësaj vaksine janë lajmet më të fundit inkurajuese që dalin nga përpjekja marramendëse për të zhvilluar një vaksinë kundër koronavirusit.

Vaksina e kompanisë Moderna ndjek vaksinën e Pfizer dhe BioNTech, që në fillim të këtij muaji deklaruan se vaksina e tyre është 90% efektive kundër koronavirusit.

Vaksina Moderna nuk do të jetë në dispozicion jashtë SHBA-ve deri vitin e ardhshëm. Por, para fundit të vitit 2020 nga kompania kanë thënë se do të jenë gati rreth 20 milionë doza vetëm për SHBA, me shpresë që të prodhohen edhe 500 milionë deri në 1 miliardë doza për vendet e tjera të botës deri në vitin e ardhshëm.