Numri i personave të infektuar në Shqipëri vijon të mbetet i lartë. Gjatë 24 orëve të fundit, janë regjistruar 694 të infektuar nga 2560 testime që janë kryer.

Komiteti Teknik i Ekspertëve, pas analizimit të situatës së koronavirusit në vend, ka marrë disa masa të tjera kufizuese për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit.

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që të ndalohen grumbullimet me më shumë se 10 persona në ambiente të hapura dhe të mbyllura.  Gjithashtu, do të ndalohen mbledhjet partiake dhe tubimet.

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur të ndalojë konferencat, ceremonitë e festave, ato martesore dhe organizimet përtej atyre familjare të ceremonive mortore deri në një urdhër të dytë.

“Në mbledhjen e fundit të Komitetit Teknik të Ekspertëve, pasi kemi analizuar situatën dhe risqet, ecurinë e epidemisë në vend dhe përgjigjen e qytetarëve ndaj masave të ndërmarra, kemi vendosur:

Të ndalohen grumbullimet me më shumë se 10 persona në vende të hapura dhe të mbyllura

Të ndalohen mbledhjet partiake dhe tubimet

Të ndalohen konferencat, ceremonitë e festave, ceremonitë martesore dhe organizimet përtej atyre familjare të ceremonive mortore, deri në një urdhër të dytë”,- tha Albana Fico, drejtoreshë e ISHP-së.

Fico tha se opsioni i mbylljes së vendit si Italia dhe Greqia është versioni i fundit sipas skenarëve të tyre. 

“Të jemi të qartë që kjo është një situatë që vlerësohet në dinamikën e vet. Opsioni i mbylljes së Shqipërisë do të ishte versioni i fundit sipas skenarëve, por të mos harrojmë diçka. Sa i përket ecurisë së indikatorëve që masin situatën ne jemi akoma ku ndërhyrjet e bëra na lejonin që të vijojmë duke monitoruar javë pas jave”,- tha Fico.