Komiteti Teknik dhe Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik bënë publike masat e reja që do të merren në vijim nga qeveria, në kuadër të parandalimit të përhapjes së Covid-19.

Drejtoresha Fico u është përgjigjur edhe disa pyetjeve nga gazetararët në lidhje me problematikat që janë parë në institucionet e shëndetit, por edhe se si do të veprohet në rastin e transportit publik, i cili krijon grumbullime të qytetarëve duke bërë që rrisku për infektimin me Covid të jetë mjaft i lartë.

Sipas Ficos, është marrë parasysh krijimi i grumbullimit në transportin publik dhe po vijohet të bashkëpunohet me autoritetet lokale që të menaxhohet sa më mirë ky problem.

Kjo është situata, e cila vlerësohet në dinamikë. Sot që flasim opsioni i mbylljes së Shqipërisë është versioni i fundit, por kjo do të vlerësohet në vijim. Kjo është një vendimmarrje që kërkon dhe zgjidhjen e rasteve operative. Vlerësimi i mbylljes është i parashikuar, nuk është se nuk e kemi parashikuar edhe këtë. Pa diskutim ne punojmë nga afër me autoritetet lokale që të mundësojmë këto problematika. Jam e sigurt që do jetë e menaxhuar më së miri që në krye të herës kjo masë”,- tha Fico.

Sa u përket ankesave të qytetarëve të ndryshëm se kanë vonesë në marrjen e përgjigjes së tamponit, Fico tha se ISHP-ja ka disa target grupe që kanë prioritet për t’u analizuar të parat. Në këtë kategori hyjnë mësuesit, bluzat e bardha dhe grupet e ngjashme me to.

Sot që flasim ISHP kthen përgjigjen e një testimi 24 deri në 72 orë. Kjo është shpjeguar disa herë në daljet tona publike. Të gjithë mostrat që vijnë kanë përcaktuese grupin që bëjnë pjesë, mësuesit, mjekët nxënësit dhe target grupet e ngjashme me to, kanë prioritet dhe analizohen të parat.

Ajo që duhet të bëjë një person asimptomatik apo me shenja të lehta të Covid apo mendon se ka simptoma të Covidit, është përgjegjësi e tij që të izolohet në shtëpi dhe të presë përgjigjen e tamponit. Vihet re një shtim i rasteve të virozave stinore përveç Covidit. Sa u përket personave që dyshojnë se kanë Covid, detyra e tyre është të qëndrojnë në shtëpi”,- tha ndër të tjera Fico.

Ndërkohë, Fico foli edhe për përhapjen e sëmundjes në shkolla dhe për mundësinë e mbylljes së tyre.

Sipas Ficos, situata me pandeminë është dinamike dhe do të jenë shifrat dhe numri i infeksioneve që do të vendosë në vijim nëse do të mbyllen shkollat apo jo.

Ajo theksoi se momentalisht nuk jemi në situatën që institucionet e arsimit të mbyllen, por që nuk e përjashtoi si alternativë në rast se shifrat vijojnë të jenë të larta.

Fëmijët janë pjesa më e dashur, për të cilët shqetësohemi natë e ditë. Dua t’ju them që në vlerësimin që ne i kemi bërë situatës në shkolla kemi parë që nga hapja e shkollave është vënë re një rritje e infeksionit, por që ka qenë në monitorim dita-ditës. Shkollimi dhe shëndeti mendor, karakteristika të fëmijëve, janë po aq me rëndësi. Situata është dinamike, ne raportojmë çdo ditë, nëse do të duhet si masë shtrënguese, pa diskutim që do ta marrim vendimin e duhur në kohën e duhur”,- theksoi Fico.