Ndërsa festat e 28-29 Nëntorit po afrohen, qytetet janë dekoruar me flamujt kuq e zi, pyetja që qarkullon është: a do të festohen?
Në lidhje me këtë, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në një deklaratë për mediat, i bëri një thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë patriotizmin duke qëndruar në shtëpi, në mënyrë që të kujdesen për shëndetin e tyre dhe të familjes. Ministrja la të kuptohej se nuk do të ketë ndalime të festimeve, por secili duhet ta bëjë vetë zgjedhjen për të qëndruar jashtë dyndjeve nëpër lokale.
“Po afrohen edhe festat e Nëntorit dhe besoj se të gjithë duhet ta vendosim në plan të parë kufizimin e kontakteve dhe të bëhemi heronj të gjithë. Patriot do jetë ai që do dojë veten dhe të afërmit e tij duke qëndruar pranë familjes së ngushtë dhe duke treguar që do veten, familjen dhe kështu do gjithë shoqërinë. Kjo është ndihma që do japë autoriteteve të shëndetësisë, që janë në punë prej 9 muajsh”-tha Manastirliu.
Në 17 nëntor, hyri në fuqi vendimi i ri për ndalimin e grumbullimeve me më shumë se 10 persona në vende të hapura dhe të mbyllura, si dhe ndalimi i tubimeve apo ceremonitë e festave.