Edhe pse temperaturat në qytetin verior të Italisë, në Torino, kanë rënë ditët e fundit, nuk e kanë penguar nxënësen Anita Iacovelli, të vazhdojë me protestën e saj kundër mbylljes së shkollës.
Çdo ditë që nga 6 nëntori, kur shkollat në të gjithë qytetin dhe rajonin e gjerë, të Piemonte-s u mbyllën për shkak të përshkallëzimit të infektimeve me Covid-19, 12-vjeçarja, e veshur me kapelë, doreza dhe maskë fytyre, është ulur jashtë shkollës 'Italo Calvin', duke vazhduar me mësimet në distancë me një tablet. Pas saj është një poster i shkruar me dorë që lexon "Të mësuarit në shkollë është e drejta jonë".
Filloi si një protestë e vetme, por Anita-s së shpejti iu bashkua shoqja e saj Lisa Rogliatti dhe shokë të tjerë të klasës, para se nisma të përfshinte dhe të merrte vrull në të gjithë Italinë.
Nuk është mënyra më ideale për të studiuar, por fëmijët thjesht duan të kthehen në klasë, pasi kanë kaluar muaj të tërë brenda shtëpisë, përpara kompjuterëve gjatë valës së parë të pandemisë.
"Në fillim, kur ata na njoftuan se shkollat po mbylleshin, ne ishim të lumtur pasi mendonim se do të ishte vetëm pak kohë që do e kalonim”-tha Anita për Guardian. "Por pastaj u bë jashtëzakonisht e rëndë dhe ne u lodhëm shumë."
Demonstrata e Anita-s dhe të tjerëve në të gjithë vendin tani po promovohet nga Priorità alla Scuola (Prioriteti i Shkollës), një lëvizje e përbërë nga mësues dhe prindër që luftojnë për një sistem më të mirë arsimor. Protestat po quhen "Shkolla për të Ardhmen". Tashmë po bëhen krahasime midis Anita-s dhe Greta Thunberg. Por Anita thotë “Unë jam Anita, jo Greta”.
Nëna e saj, Cristiana Perrone, e ka shoqëruar vajzën në protesta. "Fëmijët janë vërtet të vendosur ... ata janë me të vërtetë të përqendruar në kthimin në shkollë."
Anita, lënda e preferuar e së cilës janë matematika, tha se nuk kishte një ide precize se çfarë do të donte të bënte në të ardhmen, por ajo dëshironte të bënte diçka që ndihmon shkollat. "Unë do të doja të krijoja një politikë për shkollat që u jep atyre rëndësinë që duhet të kenë," tha ajo.
Burimi: The Guardian