Nëntori do të mbyllet i ftohtë dhe me reshje shiu e bore. Meteorologët parashikojnë se ditët e fundit të nëntorit, temperaturat do të vijojnë të zbresin. Në këto kushte, priten edhe reshje dëbore në zonat malore.

Kjo e shtunë ka sjellë rënie temperaturash dhe reshje të pakta dëbore në zonat malore. Por si do të vijojë situata?

Meterologu Hakil Osmani nga Meteoalb, në një lidhje me News 24, sqaroi se situata është e përkohshme dhe se të dielën moti përmirësohet sërish, për ta mbyllur me kthjellime të gjithë javën e fundit të nëntorit.

Ka ndryshuar moti, kemi pasur rënie të vlerave maksimale dhe minimale. Duhet thënë që gjatë kësaj fundjave, minimumet në zonat malore do të zbresin në vlerat -4 apo -5 gradë celsius, ndërsa maksimumet nuk pritet të ngjiten më shumë se 6 apo 7 gradë celsius.

Po ashtu, edhe në Ultësirën Perëndimore do të kemi rënie të vlerave termike duke bërë që vlerat minimale të zbresin në 3 apo 4 gradë celsius, kurse maksimumet deri në 17 apo 18 gradë celsius.

Sot, kemi prezencë të paktë të borës në zonat verilindore, mbi 800 metra mbi nivelin e detit, gjatë mbrëmjes në zonat jugore do të kemi reshje bore në lartësinë mbi 1 mijë metra, po ashtu edhe reshje të pakta të dëborës. Duke ardhur e diela do kemi përmirësim të motit që do vijojë gjatë gjithë javës së fundit të nëntorit. Do jetë mot i qëndrueshëm dhe mundësi të pakëta të krijimit të reshjeve të shiut”, sqaroi Osmani.