Policia e Athinës ka arrestuar mbrëmjen e së dielës këngëtarin e njohur, Notis Sfakianakis. Siç shkruajnë mediat vendëse, Sfakianakis është kapur në rrugën "Vouliagmeni", gjatë kontrolleve rutinë që po kryente policia lidhur me masat e COVID-19.
Këngëtari ishte duke udhëtuar me makinën e tij tij dhe gjatë kontrollit i është gjetur një armë, për të cilën ka deklaruar se ka leje por që i kishte skaduar.
I pyetur nga policia se për se i duhej arma, ai është shprehur se ndihet në rrezik ndaj ka marrë vite më parë një armë me leje. “Armën e kam me vete, sepse ndihem në rrezik. Dokumentet e licencës kanë skaduar dhe nuk janë rinovuar”, është shprehur ai.
Efektivët e policisë kanë vijuar kontrollin në makinën e tij dhe i kanë gjetur një sasi të vogël kokaine. Pas arrestimit mbrëmjen e djeshme Sfakianakis ka dalë para gjykatës dhe në hyrje të saj është parë me maskë dhe pranga në duar.
Në sallën e gjyqit, prokurori ka thënë se ai ishte shumë bashkëpunues me policinë dhe nuk bëri rezistencë në momentin që ata e arrestuan.
Këngëtari ka kërkuar që të mos zhvillohet gjyqi kundër tij pasi avokati i tij nuk ishte në Athinë dhe nuk mund ta mbronte dot. Avokati i Notis Sfakianakis ka reaguar për arrestimin e klientit të tij dhe është shprehur se çështja do të shkojë në Gjykatën e Apelit, pasi këngëtari është lënë në burg.