Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përcaktuar 1 dhjetorin e çdo viti si Ditën Botërore Kundër HIV AIDS, si një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me HIV dhe AIDS, dhe për të demonstruar solidaritetin ndërkombëtar në përballimin e kësaj pandemie. Kjo ditë është një mundësi për të shpërndarë informacion lidhur me situatën e kësaj pandemie dhe për të inkurajuar përparimin në parandalimin, trajtimin dhe kujdesin për HIV dhe AIDS në të gjithë botën, veçanërisht në vendet me prevalencë të lartë.
Fakte kryesore
HIV vazhdon të mbetet një problem i madh i shëndetit publik në nivel global, duke marrë më shumë se 35 milionë jetë njerëzish deri tani. Në vitin 2016, në nivel global 1 milion njerëz vdiqën nga shkaqet e lidhura me HIV.
Në fund të vitit 2016, globalisht pati përafërsisht 36.7 milionë njerëz që jetonin me HIV, ku 1.8 milionë prej tyre u infektuan vetëm në vitin 2016.
54% e të rriturve dhe 43% e fëmijëve që jetojnë aktualisht me HIV marrin terapinë gjithëpërfshirëse antiretrovirale (ART).
Afrika Sub-Sahariane është rajoni më i prekur me 25.6 milionë persona me HIV.
Infeksioni HIV shpesh diagnostikohet nëpërmjet testeve të shpejta diagnostike, që zbulojnë praninë ose mungesën e antitrupave HIV. Shumica e këtyre testeve japin rezultate brenda ditës, gjë që është thelbësore për vendosjen e diagnozës në të njëjtën ditë, si dhe për trajtimin dhe kujdesin e hershëm.
Grupet që janë në rrezik të lartë për t’u infektuar me HIV (popullata kyçe) përfshijnë: burrat që kanë marrëdhënie seksuale me burra, ata që injektojnë droga, të burgosurit dhe personat që jetojnë në mjedise të tjera të mbyllura, punonjësit e seksit dhe klientët e tyre, dhe transgjinorët. Popullatat kyçe shpesh kanë sjellje që rrisin vulnerabilitetin ndaj HIV dhe zvogëlojnë aksesin në programet e testimit dhe trajtimit.
Në vitin 2015, 44% e rasteve të reja ndodhën pikërisht në këto popullata e partnerët e tyre seksualë.
Për infeksionin HIV nuk ka shërim. Megjithatë, medikamentet efektive antiretrovirale (ARV) ndihmojnë për të kontrolluar virusin dhe për të parandaluar transmetimin, në mënyrë që njerëzit me HIV si dhe ata në rrezik të madh për t’u infektuar, të mund të gëzojnë jetë të shëndetshme dhe produktive.
Aktualisht, vetëm 70% e personave me HIV e dinë statusin e tyre.
Deri në fund të vitit 2016, globalisht 19.5 milionë njerëz që jetojnë me HIV kanë marrë terapi antiretrovirale.
Nga viti 2000 deri në vitin 2015, infeksionet e reja me HIV kanë rënë me 39%, dhe numri i vdekjeve nga AIDS ka rënë me 1/3, me rreth 13.1 milionë jetë të shpëtuara për shkak të marrjes së terapisë antiretrovirale në të njëjtën kohë me vendosjen e diagnozës.
Trajtimi i AIDS
Sot infeksioni HIV mund të kontrollohet nëpërmjet përdorimit të terapisë antiretrovirale të kombinuar, e cila përbëhet nga 3 ose më shumë barna antiretrovirale. Barnat antiretrovirale nuk kurojnë infeksionin HIV, por kontrollojnë shumimin e virusit brenda trupit të një personi dhe i mundësojnë sistemit imunitar të individit të fuqizojë kapacitetin për të luftuar infeksionet.
Mjekimi me ARV zgjat jetën e të sëmurëve dhe rrit cilësinë e saj, duke e shndërruar AIDS-in në një sëmundje kronike./ Shendeti.com.al/