Megjithëse Molly Gibson është pak më shumë se një muajshe, ajo do të kishte lindur para 27 viteve, nëse embrioni i saj nuk do të ishte ngrirë.
Embrioni i Molly-t u ngri në tetor të vitit 1992 dhe qëndroi i ngrirë deri në fillim të këtij viti, saktësisht në muajin shkurt, kur Tina dhe Ben Gibson nga Tenesi e adoptuan embrionin e saj. Tina lindi Molly-n në fund të tetorit - 27 vjet pasi embrioni i saj ishte ngrirë për herë të parë.
Lindja e Molly-t besohet të ketë vendosur një rekord të ri - që më parë mbahej nga motra e saj e madhe, Emma - si embrioni i ngrirë më gjatë deri në lindje.
Embrioni është vetëm një vit më i ri se nëna që e lindi.
"Me ardhjen e Emma-s, ne ishim shumë të lumtur që kishim një fëmijë," -tha Tina Gibson për CNN, “Me Molly-n, ne ndihemi në të njëjtën mënyrë. Është bukur – kështu shënojmë përsëri një rekord tjetër botëror."
Gibson mbeti shtatzënë me Emma-n dhe Molly-n me ndihmën e Qendrës Kombëtare të Dhurimit të Embrioneve, një organizatë jofitimprurëse që ruan embrione të ngrira që pacientët me fekondim vitro kanë vendosur të mos i përdorin. Familjet mund t’i adoptojnë ato embrione të papërdorura, të cilat më pas transferohen në mitrën e një prindi adoptues.
Emma, vajza e madhe e Gibsons, lindi në nëntor të vitit 2017 dhe vendosi rekordin e mëparshëm për embrionin me ngrirjen më të gjatë që ka rezultuar në një lindje, sipas qendrës. Ajo ishte ngrirë për 24 vjet.
Para se Emma dhe më pas Molly të vendosnin rekorde, dihej pak për qëndrueshmërinë e embrioneve të vjetra. Dhe kur zbuloi se embrioni i Emma-s ishte ngrirë për kaq shumë kohë, Tina Gibson u shqetësua se mosha do të zvogëlojë shanset e saj për të mbetur shtatzënë.
Por Dr. Jeffrey Keenan, presidenti i qendrës, e siguroi atë se mosha nuk do të ndikonte në rezultatin. Ai tha në një deklaratë se lindjet e Emma-s dhe Molly-t janë provë se embrionet nuk duhet të hidhen pasi janë "të vjetra".
Rreth 75% e të gjithë embrioneve të dhuruara i mbijetojnë procesit të shkrirjes dhe transferimit, dhe midis 25 deri në 30% të të gjitha implanteve janë të suksesshme.
Gibson tha për CNN në vitin 2017, pas lindjes së Emma-s, se ajo dhe burri i saj kishin luftuar me infertilitetin. Çifti po mendonin birësimin tradicional, por pasi prindërit e saj u sugjeruan birësimin e embrionit, rrugëtimi i tyre ndryshoi në një mënyrë të papritur.