Kursi që po ndjek Gjermania kundër pandemisë së koronavirusit me ndalimin e rreptë të kontakteve si dhe me mbylljen e institucioneve kulturore dhe argëtuese do të vazhdojë deri më 10 janar.

Kancelarja Angela Merkel dhe kryeministrat e landeve vendosën, që të shtyhen masat kufizuese për popullsinë për shkak të pandemisë. Këtë e komunikoi kancelarja pas konsultimeve që zgjatën pesë orë me kryeministrat e landeve (02.11). Në konferencën e shtypit Merkel deklaroi, se “Parimisht gjendja mbetet siç është tani”. Më 4 janar, kryeministrat e landeve do të konsultohen sërish me kancelaren, për të gjykuar mbi hapat e mëtejshëm. Kufizimet e pjesëshme në fuqi që nga nëntori u shtynë javën e kaluar deri për më 20 dhjetor. Qëllimi i këtyre masave është, që të ulet indikatori i 7 ditëve të infeksioneve të reja nën 50 për 100.000 banorë, theksoi kancelarja. „Në përgjithësi jemi ende larg kësaj norme", tha ajo. Ndërkohë ka “një numër të lartë vdekjesh – çdo ditë”.

Gjendja është “e papranueshme”

Kryeministri i Bavarisë, Markus Söder tha: "Ne nuk mund ta pranojmë kështu këtë situatë". "Eshtë e rëndësishme dhe e drejtë, që t‘i shtyjmë deri më 10 janar masat me kufizime të pjesshme". Söder madje sinjalizoi mundësinë për kufizime edhe më të forta. Në varësi nga zhvillimi i pandemisë duhet të shqyrtohet, nëse në vende të caktuara „duhet vepruar qartazi dhe me konsekuencë edhe më në detaje". Ndër masat kufizuese janë ndalimi i kontakteve, mbyllja e lokaleve, e institucioneve kulturore dhe sportive si dhe kufizimi i udhëtimeve.

Edhe Italia zgjati shtetrrethimin për orarin 22:00 - 05:00 deri më 7 janar, çka do të pengojë festimet e zakonshme në sheshe netët e Krishtlindjes dhe ndërrimit të viteve. Orari zgjatet deri në 7 të mëngjesit më 31 dhjetor dhe 1 janar.

Udhëtimet mes rajoneve do të ndalohen, ndërsa italianët që do t’i kalojnë festat jashtë vendit duhet të izolohen në karantinë kur të kthehen. Masa synon ndalimin e udhëtimeve për ski kryesisht në Zvicër e Austri, pasi resorteve italiane u është vënë kyçi deri në fillim të 2021-shit. Baret, restorantet dhe dyqanet do të qëndrojnë të hapura sipas afatit të shtetrrethimit.

Tampon ose karantinë për këdo që hyn nga jashtë në Austri duke nisur nga kjo javë. Masat e karantinës kombëtare do të lehtësohen dhe nga e hëna rihapen shkollat. Karantina e pjesshme në Gjermani shtyhet deri më 10 janar. Kryeministri grek pritet të shpallë deri të premten vendimin për zgjatjen ose jo të karantinës kombëtare, por nuk pritet të ketë rihapje të bareve e restoranteve.