Qeveria do të rishikojë për herë të katërt me akt normativ buxhetin e këtij viti. Në një intervistë për televizionin Klan, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, thotë se rënia e të ardhurave në buxhet si pasojë e pandemisë është më e lartë se parashikimi fillestar duke kapur në total vlerën e gjysmë miliardi euro, ndërsa një pjesë e fondeve që nuk janë përdorur nga institucionet do të shkojnë për të ulur nivelin e deficitit në 6.9% të prodhimit kombëtar nga 8.4 që parashikohej.

Brenda rishpërndarjes së parave në buxhet, qeveria është duke llogaritur edhe shumën që do të japë si bonus në fundvit për pensionistët, por këtë herë nuk do të ketë shpërblime me bazë performance për administratën publike.

“Jemi duke llogaritur shumën që do të caktojmë si bonus për pensionistët.”

Deri tani pandemia ka krijuar 24 mijë të papunë të regjistruar, thotë ministrja e Financave, ndërsa shprehet se viti i ardhshëm do të ketë një tremujor të parë të vështirë, por në çdo skenar qeveria do të përshtatë buxhetin me nevojat që do të nxjerrë pandemia.

Viti i ardhshëm nuk do të jetë normal, por më i mirë se ky vit.