A ka mënyrë më të mirë për t’i mbijetuar një pandemie sesa në një plazh në Hawaii?

Për këdo që kjo ide i duket thjesht një ëndërr, Hawaii po ofron bileta vajtje-ardhje falas në Oahu për ata që duan të jetojnë dhe punojnë atje, duke kontribuar në ekonominë e vendit.

Shteti filloi programin e qëndrimit të përkohshëm, të njohur si "Movers and Shakas”, në bashkëpunim me shkolla dhe biznese, dhe pranon grupin e parë të aplikantëve deri më 15 dhjetor.

"Movers and Shakas është një hap i vogël drejt rimëkëmbjes ekonomike dhe diversifikimit të ekonomisë sonë," -tha Jason Higa, themeluesi i grupit, për CNN. "Pandemia ka normalizuar punën në distancë për të ardhmen e parashikueshme, kështu që ne besojmë se kjo situatë paraqet një mundësi që banorët lokalë të kthehen në shtëpi dhe që profesionistët jashtë shtetit të përjetojnë Hawaiin, jo si turistë, por si anëtarë kontribues të komunitetit tonë".

50 njerëz do të zgjidhen për grupin e parë, ndërsa aplikantët e mëvonshëm do të pranohen në mënyrë të përsëritur. Për të aplikuar, duhet të jeni një punëtor në distancë dhe të paktën 18 vjeç. Pjesëmarrësit duhet të shpërngulen brenda një muaji nga përzgjedhja dhe u kërkohet të kalojnë të paktën 30 ditë rresht në Hawaii. Nga ata që pranohen në program kërkohet që të angazhohen disa orë çdo javë në një organizatë jofitimprurëse, ku ata mund të përdorin njohuritë dhe aftësitë e tyre.

Hawaii ka aktualisht nivelin më të ulët për frymë të infeksioneve Covid në vend, duke e bërë atë gjithashtu një nga vendet më të sigurta për të jetuar dhe punuar. Deri më tani, Hawaii ka raportuar mbi 18,000 raste me koronavirus dhe më shumë se 200 njerëz kanë vdekur.

Përshtatur nga CNN