Donald Trump është pezulluar nga Twitter dhe Facebook, pasi ka postuar një video për mbështetësit që sulmuan Capitol Hill, ku dje pritej që Kongresi Amerikan të certifikonte fitoren e Joe Biden. Në një mesazh në Twitter për protestuesit, Trump u tha "Ju dua" para se t'u thoshte të shkonin në shtëpi. Ai përsëriti gjithashtu pretendime të rreme për mashtrime zgjedhore dhe i quajti njerëzit që kryen sulmin “patriotë”.
Twitter tha se kërkohej heqja e 3 tweet-eve për "shkelje të rënda të politikës së Integritetit Qytetar". Kompania tha se llogaria e presidentit do të mbetej e mbyllur përgjithmonë nëse tweet-et nuk hiqeshin. Kjo nuk është hera e parë që presidenti nuk respekton udhëzimet e Twitter.
Ndërkohë, Facebook pezulloi Trump-in për 24 orë, me pretendimin se videoja nxiste dhunën. YouTube gjithashtu hoqi videon.
Përkrahësit e Trump sulmuan selinë e qeverisë amerikane dhe u përplasën me policinë, duke çuar në vdekjen e një gruaje. Dhuna erdhi si pasojë e fitores së zgjedhjeve nga demokrati Joe Biden. Para shpërthimit të protestave të dhunshme, Presidenti Trump u kishte thënë mbështetësve në National Mall në Uashington se zgjedhjet ishin vjedhur.
Lexoni edhe:
'Pushtohet' kongresi në SHBA, qëllohet një grua dhe shumë të tjerë janë plagosur