Princi Harry dhe Meghan, të cilët tani ndodhen në SHBA pasi u tërhoqën nga detyrat mbretërore marsin e kaluar, pritet të bashkohen me Mbretëreshën për paradën vjetore të ditëlindjes së saj- ‘Trooping the Color’ - pra për të shënuar ditëlindjen e saj të 95-të në qershor, raporton The Sunday Times.
Një ndihmës i lartë mbretëror i tha gazetës: "Plani aktual është që parada e ditëlindjes së Mbretëreshës të organizohet në Londër si normalisht, mund të ketë nevojë të përshtatet ose të zvogëlohet, varësisht nga udhëzimet që janë në fuqi në atë kohë. Por aspirata dhe dëshira përfundimtare është ta realizojmë atë."
Tradicionalisht mbretëreshës i bashkohen anëtarët e familjes së saj në Pallatin Buckingham gjatë ceremonisë publike.
Kur Harry dhe Meghan njoftuan vendimin e tyre për t'u larguar, ata thanë se kishin në plan të ndanin kohën e tyre midis MB dhe Amerikës së Veriut. Fatkeqësisht, për shkak të pandemisë koronavirus dhe kufizimeve të udhëtimit, çifti nuk kanë qenë në gjendje të udhëtojnë më në MB. Në gusht, Harry foli për planet e tij për t'u kthyer në Mbretërinë e Bashkuar në 2021-shin.
Kjo paradë do të jetë edhe festa e parë e madhe kombëtare që nga shpërthimi i pandemisë së Covid-19 dhe largimit të çiftit drejt SHBA-ve. Ky lajm i ribashkimit të familjes vjen pak kohë pasi u zbulua se Harry dhe William ishin ribashkuar virtualisht me njëri-tjetrin gjatë festave të fundvitit.