Princi William  dhe Kate Middleton janë prindër të tre fëmijëve, Princit George, 7 vjeç, Princeshës Charlotte, 5 vjeç dhe Princit Louis, 2. Sa herë familja mbretërore del në publik të gjithë i kanë sytë te më të vegjlit. Kush nuk është kurioz të dijë si sillen ata, sidomos kur janë jashtë vëmendjes së publikut?! Princesha Charlotte duket se është më çamarrokja, pasi shpesh është kapur “mat” duke u nxjerrë gjuhën kamerave apo duke “përzënë” fotografët. Megjithatë nuk qenka kështu!

William foli për fëmijët e tij të vegjël në dokumentarin “Prince William: A Planet for Us”. Entertainment Tonight publikoi një pjesë nga dokumentari.

Në klip, një vajzë e vogël në një shkollë në Liverpool e pyeti William -in për fëmijët e tij.

"A është Princesha Charlotte më trazovaçe se Princi George?" -tha ajo.

"Jo, ata janë njësoj trazovaçë", -u përgjigj William duke buzëqeshur.

Edhe pse është më i vogli, Louis është më i qetë se Charlotte dhe George. Burime pranë familjes mbretërore kanë pranuar se Charlotte tashmë e di se ajo është princeshë, edhe pse është vetëm 5 vjeçe.

"Charlotte e di që ajo është një princeshë dhe tashmë ka një kurorë lodër, të cilën ajo pëlqen ta mbajë", tha një burim për Us Weekly. Burimi shtoi se "ndihet kaq e rritur" pasi ka mbushur 5 vjeçe.

"Ajo pëlqen të zgjedhë veshjet e saj me ndihmën e Kate dhe nëse nuk i pëlqen një fustan që ka veshur, ajo e shpreh mendimin e saj. Charlotte nuk ndihet e frikësuar para turmave të njerëzve, ndryshe nga shumica e fëmijëve në moshën e saj."

Pavarësisht se William dhe Kate do të jenë në krye të fronit mbretëror në të ardhmen, ata dëshirojnë që fëmijët e tyre të ndihen si fëmijë normal ndërsa janë të vegjël dhe bëjnë çmos për t'i mbajtur me këmbë në tokë.