Qeveria e Shqipërisë ka vendosur që 4 viktimat e protestës së 21 Janarit 2011, Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj të shpallen “Dëshmorë të Atdheut”. Lajmin e dha kryeministri Edi Rama gjatë një ceremonie përkujtimore në 10-vjetorin e ngjarjes.
“Sot bëhen plot 10 vjet nga tragjedia e 21 janarit dhe në këtë 10-vjetor qeveria e Republikës së Shqipërisë ka vendosur të japë titullin e lartë të “Dëshmorit të Atdheut” për të katër dëshmorët e protestës paqësore të 21 janarit”-tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se dita e sotme është një ditë reflektimi dhe se ngjarja e 21 janarit ka ndikuar në dy drejtime në vend. Fillimisht ai renditi marrëdhënien që qeveria e tij ka vendosur përballë protestave ndërsa së dyti, punën që është bërë për transformimin e drejtësisë. Sipas kryeministrit, 21 janari nxorri në pah llumin e politikës dhe drejtësisë në vend.
“Sot është dita për të bërë një reflektim pas këtij rrugëtimi 10-vjeçar në përpjekjen për të kuptuar bashkarisht se si ajo ngjarje tragjike dhe 4 jetë të pafajshme të humbura kanë ndikuar historinë tonë të re në dy drejtime themelore. Nga njëra anë në drejtim të marrëdhënies së qeverisë me protestën dhe nga ana tjetër në drejtim të transformimit të sistemit të drejtësisë. 21 Janari, përtej plagëve të pangushëllueshme që hapi në shpirtin e familjeve të 4 dëshmorëve dhe përtej plagës së madhe që hapi në shoqërinë tonë shërbeu për të nxjerrë në pah në sytë e të gjithëve llumin e politikës dhe të drejtësisë, të politikës si mjet në funksion të pushtetit dhe sistemi i drejtësisë si një mur i pakapërcyeshëm i këtij vendi”, tha Rama.