E ftuar në emisionin “E ardhmja është vajzë” në ABC News, moderatorja e sportit Lei Kraja preku sërish një temë shumë delikate për të, atë të divorcit të prindërve të saj. Kjo është një nga ndodhitë që i ka lënë gjurmë të mëdha dhe ka shenjuar jetën e saj, prandaj Lei sa herë flet për këtë temë përlotet.

E pyetur për vështirësitë me të cilat është ndeshur në jetë, Lei ka thënë se do t’i ndante në tri etapa.

“Vështirësitë e jetës mund t’i ndaj në 3 etapa. Një nga këto është kur u ndanë prindërit e mi, gjë që ishte shumë e vështirë për mua. Shqiptarët e bëjnë pak tragjike ndarjen edhe për ne ishte shumë e vështirë në atë kohë nga ana emocionale se ishim 4 fëmijë. Kur u ndanë unë isha 13-14 vjeçe dhe isha më e madhja e fëmijëve. Është periudhë shumë delikate se ti akoma nuk e di kush je, çfarë je, jo se ke nevojë për të dy prindërit, por mënyra si u trajtua ajo çështje e bëri të vështirë... Pastaj mami na mori përsipër nga ana financiare, jo se po hedh babin poshtë, por nga ana financiare është pak e vështirë në mes të Amerikës një grua të rrisë 4 fëmijë me gjithë të mirat”, -ka rrëfyer Lei duke mos mundur t’i kontrollojë emocionet dhe është përlotur në studio.

Ndërsa për etapat e tjera ajo tha se ishte momenti kur u bë e pavarur financiarisht dhe iu desh të përballej vërtet me vështirësi, të cilat më parë nuk i kishte ndjerë. Ndërsa si etapë të tretë ajo përmendi rikthimin në Shqipëri. Lei theksoi se nuk është e talentuar dhe gjithçka që ka arritur në Shqipëri e ka arritur me punë dhe mundim, prandaj gjërat për të s’kanë qenë aspak të thjeshta.