I pranishëm në emisionin “Historia ime” në Tv Klan, Neritan Liçaj foli rreth karrierës së tij të aktrimit dhe tregoi disa detaje të rolit të tij në filmin “Unë, ti dhe Kasandra”. Ky rol ka qenë jo pak i komentuar asokohe, kur njerëzit mendonin se Neritani ishte vërtet një përdorues i lëndëve narkotike, pasi çdo gjë dukej shumë reale.
Aktori ka treguar se njerëzit e identifikonin me rolin.
“Ka qenë një periudhë shumë e bukur sepse unë sapo kisha dalë nga shkolla, shumica ishin studentë dhe ishin pikërisht ky pasioni për të thënë disa të vërteta që kishin filluar ta preknin Shqipërinë. Problemi i narkomanisë kishte filluar të ishte evident dhe zyshë Mira kishte bërë një skenar të jashtëzakonshëm. Një skenar që i thoshte gjërat siç ishin”, -tha ai duke shtuar: “Njerëzit të identifikojnë me rolin. Për shembull mua më ka thënë një djalë i vogël 'Pse e ke vrarë Florin?' Thua ti se e kisha vrarë me tërë mend.”
Neritani është shprehur se u zgjodh enkas për atë rol, pasi ka qenë gjithmonë thatim, ndërsa edhe grimi bënte të vetën. Gjithashtu ka treguar se për t’u futur në rol, ai ka folur me policët e antidrogës dhe me mjekë, ka ndenjur me narkomanë, duke i parë se çfarë bënin, çfarë mendonin, si jetonin etj.