Të gjithë kemi pasur të paktën një moment në jetën tonë kur e kemi ndier më shumë se kurrë nevojën e një psikologu. Mund të ketë qenë thjesht një moment dëshpërimi, një moment mërzitjeje apo nevoje për të na dëgjuar ose për të dëgjuar dikë. Psikologu mund t’i ndihmojë njerëzit në shumë aspekte, si në karrierë, në marrëdhënie me njerëzit e tjerë, në pasjen e një komunikimi më të mirë, në ndërtimin e vetëbesimit etj. E gjithë kjo duke kuptuar sjelljen e kaluar të njerëzve, për të parashikuar më mirë sjelljen e tyre në të ardhmen.

Tani jemi të ndërgjegjshëm që këshillimi me një psikolog është po aq i rëndësishëm sa konsulta me një mjek kur kemi një problem shëndetësor.

Shëndeti mendor është pikënisja për një jetë të lumtur dhe në harmoni me mjedisin ku jetojmë. Shqipëria po ecën me hapa gjigante drejt qasjes moderne, duke rrezikuar humbjen e vlerave familjare dhe shoqërore që na identifikojnë. Çdo ditë e më shumë bisedat e ngrohta mes miqve po zëvendësohen nga komunikimet “virtuale” me smartphone dhe si pasojë humbasim mundësinë për t’u parë në sy e për të komunikuar në kuptimin e plotë të fjalës, duke folur e duke u dëgjuar. Duke mos mjaftuar kjo, këtë vit na u “ndaluan” përqafimet dhe shtrëngimet e duarve, gjatë gëzimeve dhe hidhërimeve, larg nga habitatet karakteristike në të cilat jemi mësuar.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Qendra e Shendetit Mendor D.ZH (@qendra_e_shendetit_mendor_dzh)

Të gjitha këto ndryshime na çojnë në dëshpërim dhe në ngujim shpirtëror, në një mjegullim pasigurie për të ardhmen. E megjithatë, pavarësisht gjithçkaje, për sa kohë dielli rilind në mëngjes edhe ne kemi çdo ditë shpresë dhe një mundesi të re për ta jetuar jetën tonë në maksimum në të gjithë plotësinë e saj.

Eriona Kola është një psikologe që drejton Qendrën e Shëndetit Mendor “Drejt Zhvillimit” në Durrës. Më shumë sesa kushdo, Eriona e di sa e rëndësishme është që çdo person që e ndjen të nevojshme, të ketë mundësinë të këshillohet me një psikolog. E gjendur jo rastësisht në këtë profesion, ajo ka pasur gjithmonë aftësinë për të dëgjuar njerëzit që e rrethonin dhe për t’i këshilluar ata, derisa vendosi që këtë gjë, që e bënte me shumë dëshirë, ta kthente në një profesion. E gjendur përballë vështirësive që vijnë me çdo profesion, Eriona u ka shkuar deri në fund të gjitha sfidave. Gjithmonë duke qëndruar me këmbë në tokë, ajo di si t’u jetë falënderuese bashkëpunëtorëve dhe njerëzve që e kanë mbështetur, edhe në momentet e saj më të suksesshme.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Qendra e Shendetit Mendor D.ZH (@qendra_e_shendetit_mendor_dzh)

Fuqia rigjeneruese e mendjes dhe shpirtit të njeriut është krijuar në mënyrë të mrekullueshme dhe shkon përtej limiteve të imagjinatës sonë. Ky është lajtmotivi i cili shoqëron rrugëtimin e ndjenjave dhe mendimeve në seancat terapeutike me psikologen tonë.

Zgjodhe ta titullosh këtë intervistë “Më shumë sesa një jetë”. Pse ky titull?

Si psikologe, kam përjetuar botët e shumë njerëzve, të cilët kanë ndarë me mua gjërat me të rëndësishme të jetëve të tyre, emocionet e forta, dashuritë e mëdha, frikërat e fshehta apo plagët e shpirtit. Nuk u ofroj vetëm një dhomë të këndshme me nje kolltuk të rehatshëm, por edhe kohën time, vëmëndjen, mbështetjen, inkurajimin, drejtimin e personave në rrugëtimin tonë të përbashkët derisa arrihet mirëqenia. Midis meje dhe klientëve të mi krijohet një marrëdhënie e veçantë, ku edhe në mosprezencë, mendoj çfarë do të bënte ai person në një situatë të caktuar dhe anasjelltas, klienti im mendon se si do të reagoja unë në një situatë ku ai gjendet. Të pasurit një psikolog është luks, por të qenit psikolog të jep mundësinë të jetosh me shumë se një jetë.

Ambicioze, e realizuar profesionalisht edhe pse në një moshë relativisht të re, a është ky profesion ai që vërtet ke dashur të bësh në jetë?

Po, është e vërtetë që unë e dua profesionin tim dhe zgjedhja që kam bërë nuk ka qenë e kushtëzuar apo e kompromentuar nga asgjë. Kisha vënë re shpesh që miqtë e mi gjenin tek unë një person të besueshëm për të hapur zemrën e tyre, gjenin një vesh për t’i dëgjuar dhe pse jo për të marrë një këshillë të vlefshme. Në fakt ky rol më bënte të ndihesha mirë dhe e nevojshme. Pikërisht kjo ishte fillimisht nxitja për të zgjedhur këtë profesion. Më pas, më kuriozonte shumë edhe brendësia e mendjes së njeriut, qenia njerëzore përballë universit, njeriu si krijesë në bashkëveprim me Krijuesin. Këto ishin zanafilla e dëshirës sime që më çoi drejt psikologjisë.

Studimet e para Universitare i kam kryer pranë “KTU” ku jam diplomuar në “Teologji”, më pas kam ndjekur studimet në Universitetin e Tiranës për “Psikologji” dhe më pas në master për “Psikologji Klinike”. Specializimet pasuniversitare i kam kryer në Firence të Italisë për “Terapinë e Sjelljes”, duke vijuar në Trajnimin e Traumës në USA dhe së fundmi si Psikoterapeute Konjitiv Biovirale (CBT). Dëshira për këtë profesion dhe thellimi në këtë fushë më kanë ndihmuar të punoj në klinikën time me shumë pasion dhe më ambicien për të ndjekur rastet, edhe ato më të vështirat. Trajtoj raste me shqetësimet psikologjike si neurozat, ankthi, frikërat dhe fobitë, çrregullimet e humorit dhe depresioni, çrregullimet e personalitetit, varësitë, problemet në adoleshencë, në çift, në familje...etj.

Dimë që drejtoni një qendër të shëndetit mendor, mund të na njohësh pak më tepër me shërbimet e saj?

Qendra e Shëndetit Mendor “Drejt Zhvillimit” ndodhet në Durrës dhe si aktivitet kryesor ka diagnostikimin dhe trajtimin terapeutik të fëmijëve dhe adoleshentëve me çrregulllime të shëndetit mendor. Trajnime të psikologëve dhe ekspertëve të tjerë të fushës. Lobimin për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, duke hartuar dhe zbatuar projekte të shumta në mbështetje të tyre. Qendra funksionon me anë të një grupi multidisiplinor, i përbërë nga psikologë, psikiatër infantil, punonjës socialë dhe logopedë. Jam e lumtur të ndaj këtë eksperiencë me kolegen dhe miken time Ardiana Dule, që me anë të kësaj simbioze them me shumë modesti se kemi arritur të udhëheqim qendrën më të madhe të Shëndetit Mendor në Durrës dhe jo vetëm.

Cili mendon se ka qenë çelësi i suksesit tuaj në këtë drejtim?

Mendoj se çelësi i suksesit ka qenë pikërisht se nuk kemi rendur pas suksesit dhe benefiteve që sjell ai, por ka ardhur natyrshëm pasi kemi përfshirë në punën tonë jo vetëm mendjen, por edhe zemrën. Duke punuar kryesisht me fëmijët, jemi njohur më nga afër me nevojat dhe problemet e familjarëve të tyre. Më besoni, që të qenit prind i një fëmije me problematika të shëndetit mendor, përmban në vetvete një peshë shumë të madhe, si sociale edhe ekonomike. Jeta e tyre është e lidhur dhe e kushtëzuar tërësisht nga fëmija. Ata përballen nga njëra anë me nevojën për të punuar sa më shumë në mënyrë që të investojnë në zhvillimin e fëmijëve të tyre dhe nga ana tjetër me nevojën për t’u qëndruar pranë në çdo moment. Qendra jonë është munduar t’u vijë në ndihmë dhe t’u ofrojë prindërve, si terapi këshillimi ashtu dhe pagesa shumë të arsyeshme për terapitë e fëmijëve të tyre. Gjithmonë ka qenë dhe vazhdon të jetë në fokusin tonë, ngritja e fondeve nga sponsor të ndryshëm, me qëllim mbulimin e shpenzimeve terapeutike për fëmijët me nevoja të veçanta kur ata janë jetimë ose për të tjerë me të ardhura të ulëta ekonomike.

Një çelës i dytë suksesi, por jo më pak i rëndësishëm ka të bëjë me kërkesat gjithnjë e në rritje që kemi ndaj vetes dhe stafit tonë për kualifikime të vazhdueshme në funksion të rritjes profesionale, me qëllim përmbushjen në mënyrën sa më të mirë të mundshme të nevojave për njerëzit të cilëve u shërbejmë.

Nëse dëshiron mund të ngresh një apel, lidhur me mbështetjen e këtyre familjeve në nevojë për të cilat ndave më sipër.

Po, faleminderit! Qendra ofron mundësinë e adoptimit në distancë të një fëmije me aftësi të kufizuar, duke i mundësuar atij terapi zhvillimi kryesisht me periudha 1-vjeçare.

Në fakt dua t’i drejtohem çdo prindi që i gëzohet shëndetit të plotë të fëmijës së tij. Dua t’i drejtohem çdo prindi që në ditën e datëlindjes së fëmijës së tij, e shqetëson fakti se çfarë dhurate do të blejë, pasi tashmë ai i ka të gjitha. Është shumë bukur kur sheh fëmijën tënd kur buzëqesh, kur të flet, kur hedh hapat e tij drejt teje dhe të përqafon, qoftë dhe kur të befason me logjikën e tij, por të lutem mos harro që jo shumë larg teje, në këtë Shqipëri të vogël, ka plot prindër që mundohen shumë për të marrë qoftë dhe një fjalë të vetme nga fëmijët e tyre, një hap të vetëm, një shkronjë në një fletë.

Ti mund ta lehtësosh sadopak mundimin e tyre, duke dhënë kontributin dhe mbështetjen tënde ekonomike dhe morale. Nëse ndjen diçka për të bërë sot, ndërsa lexon këto rreshta, mos ngurro, pasi një ditë më vonë për një fëmijë të tillë, do të thotë shumë hapa mbrapa në zhvillimin e tij.

Çfarë është ajo që të sfidon dhe të dhuron më shumë kënaqësi në punën tënde?

Vitet e fundit po më sfidojnë dhe po trajtoj personalisht më shumë raste të ndryshme të moshave adulte. Duke njohur secilin prej tyre dhe me qëllim për t’i ndihmuar sa më shumë, është si të futem nën lëkurën e tyre. Edhe pse më duhet të jem e ftohtë në qëndrimin tim, padashur dhe pa e kuptuar, secili prej tyre lë një gjurmë në jetën time. Sfida qëndron në faktin që personi që ke përballë të beson në njëfarë mënyre “jetën e tij” në duart e tua dhe kjo mbart një përgjegjësi tepër të madhe, por ajo që unë dhe çdo psikolog tjetër besoj se bën, është të drejtojmë personin te fuqia dhe forca që qëndron brenda tij, për të luftuar atë “gjigant të padukshëm” që ai person sheh. Ndërkohë që shoh pas çdo terapie si rritet vetëbesimi i tyre dhe si zvogëlohet “gjiganti”, shoh mirënjohjen e thellë që kanë në sy. Ky është një stimul shumë i madh për mua.

Më lejoni të citoj vetëm pak nga letra që një kliente e imja më ka drejtuar (pa dyshim duke ruajtur anonimatin dhe gjithashtu me lejen e saj):

“Të shkuarit në terapi ka qenë një ndër investimet më të vlefshme që kam bërë ndonjëherë për veten. Ndonëse zgjati vetëm një muaj e gjysmë, unë e kam përjetuar si një rrugëtim të gjatë, shumë më të gjatë sesa thjesht 45 ditë. Një rrugëtim i mbushur me një mori emocionesh, përjetimesh, zbulimesh, emërtimesh dhe aktualizimesh... Nuk do ta mohoj që ditën e fundit kur lashë seancën, më dukej sikur sapo kisha përfunduar një marrëdhënie speciale timen, mbase ndër të paktat të ndërtuara në baza të shëndosha... Po mendoj se duhet të vë në praktikë ato që kam mësuar për veten dhe botën që më rrethon dhe të nis të reflektoj këshillat e mësuara. Deri atëherë dua të jem vetëm mirënjohëse, ta konsideroj këtë eksperiencë si guidën e nevojshme për një jetë më të shëndetshme dhe më të plotësuar në çdo aspekt.”

Këto vargje janë shpërblimi më i madh i punës sime.

Psikologe klinike, drejtore e “Qendrës së Shëndetit Mendor Drejt Zhvillimit”, eksperte e “Edukimit në Vazhdim”, bashkëshorte dhe nënë e dy fëmijëve, që më i vogli është 2 muajsh, si ia arrini të ekuilibroni kohën midis punës dhe familjes suaj?

Është e vërtetë që ambiciet profesionale kanë bërë që të marr përsipër shumë përgjegjësi, por nuk pendohem për këtë derisa kam një karrierë që më përmbush dhe një familje të lumtur që më mbështet. Se pari, është besimi në Zot dhe i jam mirënjohëse atij për gjithçka jam dhe kam. Jam rritur në një familje ushtarake, nga dy prindër të disiplinuar që janë model për jetën time. Ajo që mundohem të bëj është që t’i jap vlerë kohës. E kam organizuar ditën time në mënyrë të tillë që kohën që kaloj në punë të jem e përfshirë tërësisht, pa interferenca. Kjo edhe falë njerëzve dhe bashkëpunëtorëve që më lehtësojnë peshën. Gjithashtu përpiqem të kaloj kohë produktive me familjen time, ku bazë është komunikimi, të ndajmë me njëri-tjetrin në familje gjërat që na lëndojnë, gëzojnë apo shqetësojnë. Apo të bërit gjëra dhe aktivitete së bashku, duke filluar qoftë me një lojë me fëmijët, gatimi i një keku me vajzën e vogël 7-vjecare, deri te shëtitjet dhe udhëtimet si familje dhe shpesh me miqtë tanë shumë të mirë. Meqenëse një grua, sado e fortë të jetë nuk mund t’i realizojë 100% të gjitha detyrimet e saj në mënyrë të përsosur, mundohem të vendos përparësi. Duke qenë se për mua më të rëndësishmet janë marrëdhëniet dhe komunikimi në familje, nuk pranoj aspak t’i neglizhoj ose të bëj kompromise për to.

Ndihma dhe mbështetja ime më e madhe është bashkëshorti im. Pjesën më të madhe të arritjeve të mia, ia dedikoj atij, pasi jo vetëm ka qenë inkurajues dhe mbështetës duke besuar tek aftësitë e mia, por dhe një baba i përkushtuar për fëmijët tanë. Nxisim njëri-tjetrin në angazhimet tona dhe inkurajojmë në realizimin e qëllimeve, ëndrrave apo edhe të hobeve tona.

Unë nuk do të isha kjo që jam sot pa ngrohtësinë dhe dashurinë që kam marrë gjithmonë nga motrat e mia më të mëdha. Ndihem e përkëdhelur sepse i kam pasur ato në çdo moment, në çdo situatë pranë meje, herë me ngushëllime, herë me kritika dhe shpeshherë me duartrokitje.

Kam bindjen që secili nga ne e gjen kohën për gjërat që do dhe secili nga ne, nëse shikon me kujdes përreth, ka mënyrat e tij të shkarkimit të lodhjes dhe rigjenerimit.

Çfarë mesazhi do të jepnit për njerëzit që kalojnë situata të vështira apo që nuk janë në gjendjen e tyre optimale?

Jeta që na është dhuruar është tepër e shtrenjtë, si jeta jonë ashtu edhe ajo e të tjerëve që na rrethojnë. Mendja jonë është ajo që i jep nuanca jetës, përcakton se me ç’ngjyra ti do ta shohësh atë – me te gjithë ngjyrat e bukura që natyra na dhuron apo bardh e zi? Prandaj nëse e doni jetën në plotësinë e saj, mos neglizhoni në përkujdesjen e mirëqenies së shëndetit tuaj mendor. Disa terapi te psikologu nuk tregojnë që jeni njerëz më të “dobët”, përkundrazi, tregon që jeni të guximshëm, njerëz të cilët nuk bëjnë kompromis me gjendjen e rënduar apo me dhimbjen që po kalojnë. Kur drejtohemi te psikologu, po i japim vetes mundësinë për të eksploruar qenien tonë, duke u mahnituar nga fuqia që gjejmë brenda saj, duke mos pranuar pasivisht një stil jete të padëshiruar nga ne. Mos të neglizhojmë sinjalet që subkoshienca jonë na dërgon, simptoma e shqetësime apo vuajtje, dyshime të cilat na tregojnë se diçka nuk shkon në ekuilibrin tonë bio psiko-social, sinjale që bërtasin për ndryshim.

Dua ta mbyll duke inkurajuar të duam veten, të pranojmë diversitetin, të mendojmë pozitivisht dhe të jetojmë jetën në plotësinë e saj!

Mënyrat e kontaktit me psikologen Eriona Kola:

Nr.tel: 0694076534
Email: [email protected]
Instagram: @erionakola1

 

Credits

Fotot: Class Photography, Orsola Mema

Dizajni: Xhesika Berisha

Grimi dhe Flokët: Class Hair And Make Up, Ina Zaimi