Disa të moshuar po kërkojnë të bëjnë vaksinën kundër COVID, një ditë pas vaksinimit të personaliteteve dhe personave mbi 80 vjeç. Të moshuarit kanë shkuar menjëherë në qendrën e vaksinimit pasi nuk janë në dijeni se mund të vaksinohen vetëm pasi të njoftohen nga mjeku i familjes.

Iria Preza, specialiste e programit kombëtar të vaksinimit sqaroi se është mjeku i familjes ai që njofton se kur të secili i moshuar do vaksinohet.

"Të gjithë personat që janë pjesë e strategjisë për t'u vaksinuar, janë të identifikuar nga sistemi nga mjeku i familjes dhe lajmërohen për ditën, orën dhe vendin se ku do kryejnë vaksinimin", shpjegon znj. Preza.

Ogerta Manastirliu:

“Prioriteti ynë sipas planit të vaksinimit janë edhe të moshuarit mbi 80 vjeç me fasha të ndara sipas grupmoshës por edhe sipas sëmunshmërisë. Ndaj, ashtu sikurse kemi filluar për vaksinimin e 80 vjeçarëve të dielën, ashtu do të vijojmë për të vaksinuar sipas të gjithë atyre indikacioneve që mjeku i familjes jep. Dhe do të jetë pikërisht mjeku i familjes, i cili do të lajmërojë të gjithë të moshuarit mbi 80 vjeç, sipas fashave dhe udhëzuesve të Insitutit të Shëndetit Publik”.

Ndërkaq, lidhur me procesin e vaksinimit sipas ministrisë së Shëndetësisë sot po vaksinohen më shumë se 500 mjekë dhe infermierë të Urgjencës Kombëtare, mjekë të familjes, të Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, të disa spitaleve rajonale e bashkiake.

Deri tani janë vaksinuar 5612 mjekë dhe infermierë me dozën e parë, ndërsa 655 personel shëndetësor i kanë marrë të dy dozat e vaksinës.