Bennet Nura është 17 vjeç dhe është shqiptari i parë që do të jetë banor i planetit Mars, nëse vërtetohet se aty ka jetë.

Vitin e kaluar NASA hapi një konkurs, ku mund të merrnin pjesë të gjithë banorët e botës, që dëshironin të ishin ndër të parët që do të shkonin në Mars. Benneti ka qenë në mesin e 100 mijë aplikantëve dhe tani është përzgjedhur të jetë ndër banorët e parë zyrtarë të këtij planeti, nëse aty do të ketë jetë.

Në një intervistë për RTK, Bennet Nura tha se tashmë ka 2 pasaporta, një të NASA-s dhe një që mban shtetësi holandeze, pasi ai jeton në Holandë.

“Ideja e këtij konkursi ishte që të zgjidhen 100.000 banorë virtual të Marsit, nga 7.8 miliardë banorë sa i ka bota. Këta të përzgjedhur, tashmë janë edhe banorë zyrtarë të këtij planeti, ku në mesin e tyre jam edhe unë. Pra nëse planeti Mars bëhet i banueshëm, ne si të përzgjedhur jemi të parët që kemi të drejtë jete atje”, -u shpreh ai.

Benneti studion shkenca kompjuterike dhe njëkohësisht ndjek kurse të IT-së. Ai tregoi se gjithçka që bëri për të aplikuar ishte plotësimi i një pyetësori me pyetje personale dhe e dërgoi. Më pas i erdhi konfirmimi dhe pasaporta nga NASA.