Ish-banorja e Big Brother dhe njëkohësisht një YouTubere e ndjekur në Shqipëri, Gerta Shino e ka përdorur kanalin e saj në YouTube kësaj radhe për të ndarë dhimbjen e saj. Me lot në sy, ajo ka rrëfyer se ka bërë një abort pa dëshirën e saj, por sepse i rrezikohej jeta.

Gerta ka treguar se e ka marrë vesh se ishte 5 javëshe shtatzënë më 14 shkurt. Për një javë bëri plane për fëmijën, por mësoi se shtatzënia ishte jashtë mitre kur shkoi në spital, pasi papritur gjendja e saj shëndetësore u rëndua.

“Unë isha shtatzënë, por e humba fëmijën. Nuk ka qenë një abort me dëshirë normalisht, ka qenë pa dëshirën time. Ka qenë i detyruar, sepse nëse nuk e bëja do të humbja jetën. Fëmija ishte jashtë mitre dhe unë kisha shumë pak kohë që e kisha marrë vesh. E kam marrë vesh që isha shtatzënë me datë 14 shkurt. Bëra testin dhe doli pozitiv. Unë dhe Florenti e ndjenim që nuk do ta kishim beben. Isha 5 javëshe, ishte një eksperiencë shumë e bukur, por e çuditshme. Kalova një javë të bukur, sepse bëja plane me Florentin për beben. Bënim plane për familjen tonë. Isha shumë e lumtur, por nuk ishte e shkruar”, -ka rrëfyer Gerta, ndërsa ka vazhduar të tregojë edhe pjesën më të dhimbshme.

“Pas një jave që mora lajmin, u bëra ekstremisht keq. U ndjeva shumë keq, më ra gati të fikët. Nuk kisha dhimbje barku, nuk dyshova se mund të ishte fëmija. Krizat sa vinin dhe forcoheshin dhe mendoja se po vdisja. Kam kaluar katër orët më të tmerrshme të jetës sime. Nuk merrja dot frymë, më dukej sikur po më thernin. Kur erdhi Florenti shkuam në spital. Më kanë mbajtur në urgjencë deri në 3 të mëngjesit. Kur shkova te gjinekologia doli që barku im ishte i mbushur plot me gjak. Kur e pashë tek ekrani nuk dukej asnjë bebe. Pyeta gjinekologen, më tha nuk e shikoj fare. Bëri një kontroll tjetër dhe më tha që bebja është jashtë mitre. U shokova! E dija që nuk kishte shpëtim. Ishte gjallë, nuk kishte vdekur. Nga kjo u ndjeva akoma më keq, sepse e dija që bebi ishte gjallë dhe duhej ta hiqnim, sepse nuk rritej dot kurrë jashtë mitre. Po ndihesha egoiste, sepse do jetoja unë, por ai jo.”

Ajo ka rrëfyer mes lotësh brerjet e ndërgjegjes pas kësaj ngjarjeje të dhimbshme, duke theksuar se gjendja në të cilën ndodhej ishte serioze dhe nuk kishte zgjidhje tjetër.