Një shtëpi e njohur si ndoshta shtëpia më e ngushtë në Londër është në shitje për 1.3 milion dollarë.

Më pak se 2 metra e gjerë dhe 1,034 metra katrorë, prona me pesë kate ishte dikur një dyqan kapelesh, sipas agjentit të pasurive të patundshme Winkworth, i cili po e shet. Shtëpia me dy dhoma gjumi ndodhet në Shepherd's Bush, në perëndim të Londrës dhe u shndërrua fillimisht nga fotografi i modës Juergen Teller.

Kati përdhes ka një kuzhinë, një dhomë ngrënie dhe dyer qelqi që të nxjerrin në një kopsht me oborr, ndërsa kati i parë ka një dhomë pritjeje.

Në shkallët spirale në katin e dytë do të gjeni një studio, një dhomë gjumi dhe një tarracë. Kati i tretë ka një banjo, një dhomë zhveshje dhe një dush. Në majë të shtëpisë është dhoma kryesore e gjumit.

"Dizajni i brendshëm ka qasjen e një jahti luksoz, duke shfrytëzuar në maksimum hapësirat e vogla", -thotë Winkworth.

Shtëpia e ngushtë mund të jetë diçka e çuditshme në Londër, por shtëpitë jashtëzakonisht të ngushta kanë qenë prej kohësh të famshme në vendet ku toka taksohet nga gjerësia, të tilla si Vietnami dhe Hollanda, si dhe Japonia që është një pioniere në këtë fushë.

Ndërsa çmimi prej 1.3 milion dollarësh nuk e bën të përballueshme një shtëpi të tillë, shtëpitë e vogla janë gjithnjë e më të njohura, pasi arkitektët u përgjigjen kostove të larta të jetesës.

Përshtatur nga CNN