Në një kohë kur virusi global COVID-19 vazhdon të përhapet me shpejtësi në të gjithë botën, me mutacione dhe variante të reja në vende të ndryshme, edhe njohuritë e shkencës për virusin gjithashtu vazhdojnë të thellohen. Një studim i kohëve të fundit ka zbuluar se virusi mund të mbetet në mushkëri edhe pasi testet e tamponit janë kthyer në negative.

Mjekët e zbuluan këtë lajm fatkeq, pasi bënë (pa e ditur) transplantin e mushkërive të infektuara të një pacienti, i cili ndërroi jetë nga COVID-19.

Kirurgët e Universitetit të Michigan-it morën mushkëritë nga një dhurues që kishte ndërruar jetë, i cili kishte rezultuar negativ për virusin, madje thuhej se nuk ishte ekspozuar kurrë ndaj tij. Mirëpo, pacienti i ri që ‘përfitoi’ mushkëritë nisi të kishte ethe, hipertension dhe probleme pulmonare tri ditë pas transplantimit. Madje, edhe një nga kirurgët që kreu transplantin u infektua gjithashtu me COVID-19.

Ekipi mjekësor provoi një mostër nga lëngu i mushkërive të reja të pacientit dhe e krahasoi atë me një mostër të marrë nga mushkëritë, menjëherë pas heqjes së tyre nga dhuruesi.

Analizat gjenetike treguan se pacienti dhe kirurgu ishin infektuar nga mushkëritë e dhuruesit, raportuan mjekët për ‘American Journal of Transplantation’.

Gjatë operacionit për transplantin e mushkërive, kirurgu kishte mbajtur vetëm një maskë kirurgjikale, në vend të pajisjeve të plota mbrojtëse personale, sepse edhe dhuruesi, edhe marrësi kishin rezultuar negativë ndaj COVID-19.

Dhuruesit potencialë të transplantit të mushkërive duhet të kenë të gjithë mostra të mbledhura nga thellësia e mushkërive për t’u testuar për koronavirusin”,- thotë bashkautori i raportit, Dr. Tha Daniel Kaul. “Virusi ka më pak të ngjarë të transmetohet nga organe të tjera të dhuruara, të tilla si mëlçia ose veshkat”,- tha ai për Reuters.