‘Ishte radha ime’, tha Rudina Magjistari sapo rinisi drejtpërdrejt nga Tv Klan programin e saj të pasdites. Moderatorja, për dy javë me radhë u shkëput nga studio për të krijuar një të re nga shtëpia.

Sapo u përshëndet me publikun, Rudina ndau edhe mesazhin për kujdes dhe vigjilencë maksimale, në mënyrë që gjithçka të kalojë më lehtë: “Pata unë radhën për ta kaluar Covid-19. Për fat kaloi mirë, ka qenë një histori jo dhe aq e lehtë sa duket në pamje të parë, por që unë, nga eksperienca ime, kam kuptuar diçka dhe dua ta ndaj me ju. Unë dhe bashkëshorti u infektuam të dy njëkohësisht me Covid dhe patëm fatin e madh që të mos vuanim shumë gjatë kësaj kohe, ama mjekimet i kemi marrë të gjitha.

Që nga shenja e parë që ne dalluam tek vetja jonë dhe një nga mesazhet që unë dua të jap sot, përveç reflektimin të madh që vjen që shëndeti është i pari dhe ne gjithmonë duhet të jemi të kujdesshëm. Flitet gjithë kohës, mbani maskën, ruhuni, ruani distancën. Asnjëherë nuk duhen harruar këto, janë fjalë të vërteta dhe Covidi është real, pas dere dhe shumë i rrezikshëm”.

Siç tregoi moderatorja, Covid-19 e ka kaluar me sukses dhe nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve: Çdo shenjë apo simptomë që mund të keni, mos e neglizhoni, sepse me shumë gjasa, mund të jetë Covid-i dhe duhet të konsultoheni me mjekun: “Nga përvoja ime, asnjë shenjë nuk duhet neglizhuar, nëse ndjeni dhe shenjën më të lehtë në trupin tuaj që diçka nuk po shkon, ka shumë gjasa të jetë Covid, kështu që filloni masat t’i merrni menjëherë. Sa më shpejt të trajtoheni, të kuroheni aq më e lehtë do jetë beteja me Covi-19. Dhe unë besoj se kjo është një nga arsyet që ne e kaluam pa shumë vështirësi të mëdha fizike, por ndërkohë trajtimet kanë qenë të forta, intensive, të gjitha një më një”.

Pak para se të niste prezantimin e të ftuarëve të ditës, Rudina u surprizua nga stafi i saj, i cili i solli në studio një buqetë me lule një mesazh të bukur, të cilin e lexon publikisht.

Rudina, na kishte munguar buzëqeshja dhe energjia jote. Të lumtur që je kthyer, tani për të punuar edhe më fort se kurrë së bashku, me dashuri stafi”, lexon Magjistari.