Ish-presidenti Donald Trump dhe gruaja e tij, Melania, morën në fshehtësi vaksinat kundër koronavirusit në janar, para se të largoheshin nga Shtëpia e Bardhë.

Lajmi erdhi një ditë pasi Trump u paraqit në konferencën politike CPAC në Orlando, ku për herë të parë ai inkurajoi njerëzit të shkonin të vaksinoheshin. Ai nuk e bëri kurrë këtë gjë kur ishte president.

"Të gjithë duhet të shkoni të merrni dozën tuaj", tha Trump gjatë fjalimit.

Kur The Times pyeti një këshilltar të ish-presidentit nëse e kishte bërë vaksinën, përgjigjja ishte që ai e kishte bërë, në mënyrë private, një muaj më parë.

Një numër i madh mbështetësish të Trump kanë shprehur rezistencë ndaj vaksinës, ndërsa zyrtarë të tjerë janë përpjekur të japin një shembull duke i marrë dozat në publik. Presidenti Biden, nënpresidentja Kamala Harris dhe ish-nënpresidenti Mike Pence u vaksinuan para kamerave.

Shqetësimi kryesor i Trump në lidhje me vaksinën ka qenë marrja e meritës për zhvillimin e saj ndërsa ishte president. Ai nuk i inkurajoi kurrë publikisht njerëzit të vaksinoheshin ndërsa ishte në detyrë, por thoshte se virusi do të zhdukej ‘si një mrekulli’.

"Si konservatorë dhe republikanë, mos harroni kurrë se ne e realizuam këtë gjë, mos i lini kurrë të na i marrin meritat. Ata nuk kanë merita, ata po ndjekin planin tonë, kjo është diçka që ata e quajnë një mrekulli absolute. Joe Biden po zbaton planin tonë", tha Trump dje, fiks një vit pasi u shpreh se virusi do të zhdukej vetë.

“Një ditë, si një mrekulli, virusi do të zhduket”, -ishin fjalët e tij në shkurtin e vitit të kaluar.

Ndërsa ishte në detyrë, Trump nënvlerësoi virusin, tallej me njerëzit për mbajtjen e maskave, kundërshtonte ekspertët dhe promovonte kura jo të konfirmuara.

Vaksinat e para u miratuan menjëherë pas Ditës së Zgjedhjeve, megjithatë Trump këmbëngul për marrjen e meritave në lidhje me vaksinat.