Për të dytin vit radhazi, Dita e Verës nuk i ka gjetur si zakonisht festimet në vende të ndryshme të Shqipërisë. Pandemia ka bërë që në Elbasan të mos ketë grumbullime ashtu siç bëhet tradicionalisht.
Edhe sivjet kjo festë po kremtohet duke ruajtur distancën fizike dhe duke mbajtur maskën. Po ashtu mungojnë karnavalet, karakteristikë e Ditës së Verës mëngjesin e 14 Marsit. Këtë vit nuk është hapur as panairi ku kompani të ndryshme reklamojnë produktet e tyre.
Shqiptarët mbahen si popull që jetojnë e gëzojnë në harmoni me njëri-tjetrin. Kjo gjë dëshmohet që në lashtësi, në kohët kur shqiptarët ishin paganë. Një nga traditat pagane është edhe “Dita e Verës”, e cila kremtohet më 14 mars. Kjo datë simbolizon për rigjenerimin e natyrës, ardhjen e pranveres, ardhjen e kësaj stine e cila sjell përtëritjen e natyrës, por jo vetëm, sjell edhe përtëritjen shpirtërore.
Në rrethinat e Elbasanit, konkretisht në Çermenikë sipas gojëdhënave u ndërtua një faltore me emrin “Zana e Çermenikës” ose e njohur ndryshe në mitologjinë greke Diana, perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe natyrës. Ishte koha kur nuk ishin krijuar ndasitë fetare dhe shqiptarë, grekë e romakë kremtonin së bashku duke iu falur perendive, luleve, natyrës.
Zanafilla ishte në qytetin e Elbasanit dhe ky qytet e ka ruajtur traditën dhe e feston bindshëm këtë festë, ndryshe nga krahinat e tjera.
Por cilat janë ato detaje që simbolizojnë këtë festë?
1.Ballokumet, simboli i embëlsisë, sinonimi i Ditës së verës, një nga gatimet tipike të krahinës së Elbasanit. Bëhet vetëm me 14 mars dhe përbëhet nga katër elementë: miell(misri dhe gruri), gjalpë, vezë(mundësisht fshati) dhe sheqer. Aq e thjeshtë në dukje por me një mund të madh për amvisat pasi procedura e gatimit do kohë që të realizohen ballokumet e duhura.
2.Njerëzit në natën e 13 marsit vendosin në duar verore. Verorja përbëhet nga fije të bardha e fije të kuqe. Ngjyra e bardhë simbolizon dritën, paqen, pastërtinë, ndërsa ngjyra e kuqe simbolizon gjakun, ngrohtësinë, dashurinë. Sipas traditës veroret hiqen dhe vendosen në degën e një peme me ardhjen e dallëndyshes së parë, duke shprehur një dëshirë.
3.Thuhet se në datën 14 mars, pa lindur akoma dielli, duhet të hapim dyert e shtëpisë, në mënyrë që të deportojnë rrezet e para të diellit pranveror që largojnë të keqen dhe mirëpresin të mirën, begatinë. Të moshuarit, sidomos në qytetin e Elbasanit, ende i aplikojnë këto zakone.
4.Ndezja e zjarrit që simbolizon largimin e së keqes dhe pjellorinë e tokës.
Në dy vitet e fundit, ndryshe nga çdo vit tjetër, festohet nën kushte të rrepta pandemie për shkak të masave anti-COVID.