Titulli: Flama                                                                                                                

Autori: Tom Kuka

Zhanri: Novelë

Data e botimit: mars, 2021

Numri i faqeve: 120

Çmimi: 800 lekë

Libri me një fjali

Duhet fshirë gjëma e madhe e mëkatit që jeta të lulëzojë sërish.

Informacion i përgjithshëm rreth librit

Ky është rikthimi i Di Himës, kryehetuesit të Tiranës, me të cilin lexuesi është njohur në novelën e parë “Hide mbi kalldrëm”.

Në një Tiranë “mbretërore” ku gëlon gjirizi, ndyrësia, zallamahia dhe ligësia, është ulur këmbëkryq Flama, mynxyra e madhe, e cila po shkurton jetë e po shuan njerëzinë. Por ndërkaq, ndodh një krim në dukje thuajse i rëndomtë. Kurbatkës së Bregut të Lumit, që sheh filxhan dhe ua nxjerr në shesh të palarat njerëzve, i kanë prerë grykën me brisk. Di Himës i duhet të zbulojë vrasësin dhe motivet që e kanë shtyrë atë deri në këtë mizori.

Të jetë vallë një hakmarrje e thjeshtë? Apo gjëma shkon përtej pafajësisë së një filxhani?

Teksa Di Hima heton, na shpaloset përpara syve një mjerim i madh, jo vetëm ekonomik, por edhe shpirtëror. Njerëz që nuk duan të njohin rrënjët e tyre, të shkuarën e tyre; gra që shiten e blihen në pazar për hiçmosgjë, njerëz të kulturës që i kanë duart e lidhura në gjithë atë zallahi, mjekë që përplasen me realitete të paimagjinueshme, njerëz të lirë si banorët e Bregut të Lumit, që prapë mbeten me disa parime brenda për brenda “shthurjes” së tyre. i ngjashëm me romanin e Konicës “Dr. Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit”, Tom Kuka, me stilin e tij, që shkon nga magjikja te realja, rikthehet për të na rrëfyer gjëmën e madhe të mëkatit.

Di Hima, si një tjetër Doktor Gjilpëra, kërkon të gjejë një vrasës, kurse qytetit po i merret fryma nga morti. Tom Kuka mbush karron e tij me trupat e lëngatës së Flamës, ndërsa dikush vret për të mbuluar mëkatin nga rrjedh e gjithë llahtara.

Një metaforë e mrekullueshme për njeriun e sotëm, që po përjeton një pandemi mbarëbotërore, ndoshta për shkak të grykësisë dhe përdhosjes që i ka bërë natyrës dhe vlerave njerëzore.

Autori

Ky është romani i katërt i autorit që shkruan me pseudonimin Tom Kuka. Botime Pegi ka botuar “Hide mbi kalldrëm” (2017), “Gurët e vetmisë” (2018), “Ora e ligë” (2019).

Tom Kuka është fitues i çmimit “Romani më i mirë” dhënë nga Ministria e Kulturës më 2018, për romanin “Gurët e vetmisë”.

Fragmente nga libri

1)  Sepse, koha është lojcake e pabesë, të merr nëpër këmbë. Për ç’i hyn asaj në punë, të kthjellon, dhe atë që nuk e mban mend prej motesh, ta kthen në mend sikur ka ngjarë dje, kurse për atë që vuan, mundohesh, ke kokëdhembje a ngulitje, të ngre disa perde të trasha dyshimi, sa edhe po e pe të vërtetën ashiqare, nuk i zë besë.

2)  Ai nuk duroi dot dhe u lëshua në oborr. i dolën të tëra përpara me gurmaze të prera. i vinin rrotull, ashtu të verdha, të pagoja, të pazëshme si vajza që qe ndryrë brenda. i bëhej sikur po hidhnin valle, ndaj nisi të lëvizte duart me vrull që t’i shporrte. Ua kalonte mes për mes ata krahë të gjatë si fletët e mullirit, por nuk i zinte dot, as i rrëzonte përtokë. Kjo e bëri ta përfshinte një mëri e verdhë dhe shkoi të zinte një bel me bisht të gjatë. Nisi t’i godiste me sa i hante krahu, por ato vazhdonin me të tyren, të pagoja, gurmazin e çarë, ku dukeshin rrylat e fytit. Ata gabzherrë që pa, ata skërfyej që i hynë në sy, nuk gjakonin, nuk lëshonin pikën e zhurmës, por gjithsesi e përqeshnin atë zdap sa një mal të lartë.

3)  Tani, askush nuk dinte të thoshte kur pati nisur kjo punë, por njerëzia po fironte. Varrezat qenë mbushur plot, kështu që në shpatin e kodrës qenë çelur gropa të reja. Flamëmadhja i rrëmbente me një furi kaq të madhe, thua se ishte unshëm tërë kohës. Fëmijë, pleq, gra, burra që vendoseshin stivë në karron e Tom Kukës, i cili nuk përtonte ta kryente këtë punë gojëkyçur, ashtu si e donte moti që kishte rënë.

4)  Njeriu mërzitet, kur vdes, por gëzon, kur vret.

5)  [...] asgjë nuk harrohet, nëse do të ndërtosh ditët që do të vijnë.

6)  Një Zot e di se si nuk u thyen qelqet atë natë, tek duronin pikat e ujit që binin me furi, se duhet të ishin të çmeritura nga ajo që shihnin të ngjante në atë odë. Flakërima e rrufesë e bënte natën ditë për një dekikë, ndërsa sa merrje frymë, dëgjoje një rrapëllimë që lajmëronte tokën për mëkatet e saj.