Një mafioz i arratisur është kapur nga policia në Karaibe, ku fshihej prej disa kohësh, dhe shkak u bë kanali i tij në YouTube. Marc Feren Claude Biart, 53 vjeç, bënte një jetë të qetë në Boca Chica, në Republikën Dominikane, me komunitetin lokal Italian.

Ai u tradhtua nga kanali në YouTube ku tregonte aftësitë e tij të gatimit të ushqimeve italiane. Në videot e publikuara nuk shfaqej fytyra e tij, por tatuazhet në trup bënë që ai të identifikohej nga policia.

Biart ishte në arrati që nga viti 2014, kur prokurorët italianë urdhëruan arrestimin e tij për trafik kokaine në Hollandë, për llogari të klanit Cacciola të mafies Ndrangheta.

Republika Dominikane

Me qendër në Kalabri, Ndrangheta konsiderohet të jetë një nga sindikatat më të fuqishme të krimit në botë për shkak të kontrollit të saj në pjesën më të madhe të kokainës që hyn në Evropë. Ajo e ka shtrirë aktivitetin në të gjitha pjesët e botës dhe ka kohë që ka tejkaluar Cosa Nostra të Sicilisë, si organizata më e madhe mafioze e Italisë.

Një mafioz tjetër i Ndrangheta-s u arrestua të hënën në Portugali. Francesco Pelle, i cili kishte qenë në arrati për 14 vjet dhe konsiderohej si një nga të arratisurit më të rrezikshëm italianë, u gjurmua në një klinikë në Lisbonë, ku po merrte trajtim për Covid-19.

Në vitin 2019, policia arrestoi një mafioz të organizatës Camorra, Marco Di Lauro, ndërsa ai po hante makarona me dy macet ulur pranë tij, në një apartament në periferi të Napolit. Di Lauro gjithashtu ishte në arrati për 14 vjet.

Burimi: The Guardian