Naim Sala, xhaxhai i Arjan Salës që humbi jetën nga flakët e zjarrit në magazinën poshtë “Casa Italia”, ka treguar për momentet e para si e mësoi lajmin.

I ftuar në studion e emisionit Opinion në Tv Klan, Naim Sala është shprehur se fillimisht shpresonte që nipi i tij do të mund të mbijetonte, por pas disa orësh ai humbi çdo shpresë.

Pas këtij momenti, shpresa e vetme e Naim Salës ishte vetëm që të mos humbisnin edhe trupin e Arjanit.

"Deri nga ora 1 e natës, isha i sigurt se e kam nipin gjallë. Nga ora 2 pasi mora informacion mbi katin nëndhe, i hoqa të gjitha shpresat. Filluan edhe disa shpërthime që nuk e di nga vinin, atëherë shpresat që unë nipin ta marr gjallë i hoqa. Kaloi nata, erdhi dita e nesërme. Shpresa ishte e kotë. Ajo që unë lutesha ishte që të mos humbisnim edhe trupin e Arjanit. Që të kesh djalin në një distancë 4 minuta nga puna, edhe puna nuk ishte shumë e rrezikshme, edhe të vdesësh nga ajo që ke një besim që nuk vdes kurrë, kjo qenka shumë e çuditshme”,- është shprehur ai.

Naim Sala ka një peng, kafen e fundit që nuk arriti ta konsumonte me nipin.

“Pak ditë më parë, humbe fare tha xhaxha, do vish të pimë ndonjë kafe atje në katin e sipërm, hajde të të qeras një kafe. Por kjo kafja nuk u mundësua kurrë. Ishte takimi i fundit me të. Të paktën iku në një mënyrë hero, iku për të shpëtuar të tjerët, pavarësisht se humbi veten”, tha ai.

Arjan Sala u shpall “Dëshmor i Atdheut” për veprimin e tij duke shpëtuar punonjësit nga magazina që u përfshi nga flakët.