Gjatë jetës mund të kesh ndeshur mjaft çifte të lumtura dhe mund ta kesh zili marrëdhënien e tyre. Nëse i hedh sytë pak më tutje, do të shohësh që edhe shumë nga prindërit tanë vijojnë të jenë ende të dashuruar dhe të jetojnë të lumtur me njëri-tjetrin për vite me radhë. Po çfarë bëjnë ndryshe dhe çfarë kanë të përbashkët të gjitha këto çifte?

Në shumë prej të pyeturve, sipas këshilluesve të martesave, çdo çift liston gjëra të ndryshme për suksesin e marrëdhënies së vet, por ajo që qëndron mbi të gjitha është një dhe e vetme: ata flasin me njëri-tjetrin. Do të thotë flasin me partnerin dhe dëgjojnë çfarë ka për të thënë ai. Kështu, çfarë bëjnë çdo ditë çiftet e lumtur? Është shumë e thjeshtë:

Çiftet e lumtur komunikojnë me njëri-tjetrin!

Komunikimi mund të duket shpesh i mërzitshëm, i lodhshëm, por në fakt është mjaft i domosdoshëm, sepse shmang shumë probleme që mund të lindin nga mungesa e tij. Kështu, nëse do ta mbash marrëdhënien të shëndetshme dhe të lumtur, ja çfarë duhet të bësh për të pasur një komunikim të suksesshëm.

Shprehi në çdo kohë nevojat dhe ndjenjat. Nuk ka asnjë mënyrë që partneri ta dijë çfarë të pëlqen, çfarë të mundon apo si do që të jetë kjo marrëdhënie, nëse ti nuk e thua. Shfaqi hapur ndjenjat dhe mendimet — edhe nëse je e lumtur apo e mërzitur — kështu do të jeni në të njëjtën rrugë komunikimi. Mos harro që njeriu me të cilin po shoqërohesh nuk është një lexues mendjesh (askush nuk është), ndaj duhet të mësosh gjëra të reja për veten dhe për të.