Shqipëria i ka të mbyllura të gjitha fluturimet hyrëse dhe dalëse deri ditën e nesërme në orën 10:00. Një situatë e paprecedentë dhe kaotike ka ndodhur ditën e sotme, ku 65 kontrollorët e Albcontrol (një kompani me kapital 100% shtetërore), refuzuan të dilnin në punë pasi firmosën edhe deklaratën e paaftësisë në punë. Ata kërkojnë që paga e tyre të vazhdojë si përpara pandemisë, në mbi 4 mijë dollarë dhe për këtë kërkojnë ndërhyrjen e ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës.

Por kërkesat e tyre nuk janë mbështetur. Ministrja Belinda Balluku shkoi vetë fillimisht në Rinas ku bisedoi me kontrollorët por mbledhja dështoi dhe fluturimet vijuan të jenë të mbyllura.

Në një konferencë urgjente me gazetarët, ministrja foli për një grusht shteti të mbështetur edhe nga opozita Meta-Berisha. Ky qëndrim u mbështet edhe nga kryeministri Edi Rama i cili në një reagim disa minuta pas konferencës paralajmëroi kontrollorët me burg. “Organizatorët do të kallëzohen penalisht”-tha Rama.

Presidenti Ilir Meta iu përgjigj duke thënë se ai e ka bërë detyrën e tij si numri 1 i shtetit. Meta tha se Shqipëria duhet të garantojë sigurinë e hapësirës ajrore ndërsa tha se ndërprerja e punës nuk është zgjidhje. Presidenti tha se kërkesat e kontrollorëve janë injoruar por puna duhet të vazhdojë. “I kam paralajmëruar institucionet të gjenin zgjidhje”-deklaron sot Meta.